Kryebashkiaku i djathtë i Memaliajt Albert Malaj i ka dërguar një letër Kryeministrit Edi Rama ku shprehet i gatshëm për të mirëpritur një pjesë të emigrantëve afrikanë, që priten të vijnë në Shqipëri në sajë të marrëveshjes mes Rama-Meloni. Në letrën e tij drejtuar Ramës, Malaj shprehet se është momenti që Memaliaj të tregojë mikëpritjen e tij dhe se këtë e ka konsultuar dhe me qytetarët, të cilët janë dakort.
Sipas tij, Memaliaj dhe ai kanë eksperiencën e duhur për trajtimin e emigrantëve. Karriera si ushtarak, thotë Malaj, e ka ndihmuar në menaxhimin e krizave, prandaj dhe do bëjë maksimumin. Ndërkohë që vë në dukje pozitën gjeografike të Bashkisë së tij.
Letra e plotë:
Duke iu uruar punë të mbarë! Po iu drejtohem nëpërmjet kësaj letre në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Memaliaj, në emër të gjithë komunitetit të bashkisë për të shprehur mbështetjen tonë si një përgjigjie humanitare ndaj situatës aktuale që përfshin emigrantët që kanë gjetur strehim në Europë.
Bazuar në marrëveshjen e lidhur mes Kryeministrit të Shqipërisë me Kryeministrin e Italisë, në të cilën është dakortësuar për sjelljen e emigrantëve dhe azilkërkuesve afrikan nga Italia në kampe të vendosura në Shqipëri, është momenti të tregojmë mikpritjen tonë nisur nga përjetimi dhe mikpritja që ne për shumë vite si emigrantë e kemi gjetur në shtetet europiane.
Bashkia Memaliaj shpreh gatishmërinë e saj për të strehuar një pjesë të emigrantëve nisur dhe nga eksperienca e fituar në vitin ‘98 duke strehuar dhe treguar traditën e mikpritjes ndaj vëllezërve tanë të Kosovës, mbështetur në dakortësimin e komunitetit i cili është i gatshëm për të dhënë kontribut pozitiv në jetesën e emigrantëve, zotërimi i hapësirave dhe ambjenteve të përshtatshme akomoduese, si dhe pozicionimi i favorshëm i territorit të bashkisë në afërsi të portit të Vlorës dhe Sarandës. Mbështetur edhe në eksperiencën time profesionale si një ish ushtarak, i kualifikuar për menaxhimin e krizave të refugjatëve në misionet e ngarkuara jashtë Shqipërisë jam i përgatitur dhe i gatshëm për të siguruar mirëmenaxhimin dhe mbarëvatjen e procesit të strehimit të emigrantëve të huaj dhe në Bashkinë Memaliaj.
Duke Ju falenderuar për marrjen në konsideratë të këtij propozimi, kërkojmë mundësinë e angazhimit në një dialog konstruktiv me autoritetet relevante mbi detajet dhe logjistikën e strehimit të emigrantëve në Bashkinë Memaliaj.
Mbetemi në pritje të një përgjigjie pozitive nga ana juaj.
Me respekt, Albert Malaj.
Më heret, ka qenë kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit Hilë Curri ai që është vetëofruar për të pritur emigrantët. Për letrën e Currit, Rama tha se do e marrë në konsiderantë, por që prej atëherë se ka komentuar më. Pavarësisht se Partia Demokratike e ka kundërshtuar këtë marrëveshje, duket se të zgjedhurit vendorë nuk mendojnë kështu.
Giorgia Meloni dhe Edi Rama nënshkruan një marrëveshje për emigrantët në 6 nëntor. Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët, që arrijnë në BE përmes detit. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera. Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë.