Zyra e prokurorit publik në Turqi nisi një hetim, pas dy ankesave të ndryshme për mashtrim dhe kërcënim të paraqitura në Bakirköy dhe Küçükçekmece, në Stamboll. Personi për të cilin është bërë një ankesë ishte Dionis Shaholli, një biznesmen shqiptar, që zhvillonte transport biznesi ndërkombëtar në Stamboll. Akuzat tronditëse për biznesmenin dolën gjatë hetimeve të zhvilluara në dy gjykata të ndryshme.
Një emër i dytë në skenë
Shaholli, i cili fillimisht u pa se ishte me kombësi shqiptare, në deklaratën e tij në Zyrën e Kryeprokurorit Publik në Kuçukçekmece, zbuloi gjithashtu identitetin e tij rus. Ndërsa po shqyrtohej identiteti nëse ishte i rremë apo jo, Shaholli në deklaratën e tij tha se edhe ai ishte shtetas rus dhe quhej Khamzat Ismailov. Kur u mor në pyetje, Shaholli mohoi akuzat për mashtrim. Për Shahollin, i cili u dërgua në gjykatën e Kuçukçekmeçes, u dha urdhër kontrolli gjyqësor.
Gjykata në Bakirkoy dhe urdhër për arrestim
Shaholli u dërgua edhe në Gjykatën e Bakirköy për akuzë tjetër. Ai tha se kishte një marrëdhënie emocionale me Ayşe S.Ö. U pretendua se Shaholli është shtetas rus dhe mban emrin Khamzat Ismailov. Gjykata në Bakirköy lëshoi një urdhër arresti për Shahollin, të cilit në banesë iu gjet kartë e identitetit e lëshuar nga Federata Ruse.
Tjetër pretendim tronditës
Gjatë marrjes në pyetje në prokurori dhe seancës në gjykatë, doli një tjetër pretendim tronditës për Shahollin. Dyshohet se Shaholli ishte në të vërtetë biznesmeni Azad Isayev, i cili dikur kërkohej nga Azerbajxhani dhe për të kishte një njoftim të kuq me akuzën e mashtrimit. Këto akuza Shaholli i ka mohuar në prokurori dhe në gjykatë. Shaholli në seancë tha: ‘Kur isha fëmijë më thërrisnin Azad. Emri im është Azad, kështu njihem midis njerëzve me të cilët bëj biznes, por unë nuk jam Azad Isayev nga Azerbajxhani”.
Azad Isayev, një biznesmen me kombësi azere, u raportua publikisht se ishte në kërkim nga Azerbajxhani me një njoftim të kuq nga Interpoli, për një kohë të gjatë. Isayev, që u shpall në kërkim për akuzën e mashtrimit, kishte raportimeve në mediat në Azerbajxhan se ishte lidhur me një këngëtare të njohur. Shaholli, kur pa fotot e vëna në dispozicion, tha: “Në fotografi nuk jam unë”.
Merren gjurmët e gishtave
Dionis Shahollit i janë marrë gjurmët e gishtave, pastaj u arrestua dhe u dërgua në burg. Nëse Shaholli është biznesmeni azer Azad Isayev, do të konfirmohet pas korrespondencës me zyrtarët e Azerbajxhanit./12 punto