Spanja dhe Franca po përballen me një nga valët më të rënda të zjarreve të viteve të fundit, ndërsa temperaturat e larta dhe moti i thatë po favorizojnë përhapjen e flakëve. Autoritetet në të dy vendet kanë ndërmarrë evakuime masive dhe kanë mobilizuar mijëra efektivë për të vënë situatën nën kontroll.
Gjendje e jashtëzakonshme në rajonin e Madridit
Në Spanjë, të paktën tre fronte zjarri janë bashkuar pranë Madridit, duke kërcënuar kryeqytetin dhe zonat përreth. Situata mbetet veçanërisht kritike në drejtim të Ávilës, ndërsa flakët kanë përfshirë mbi 450 mijë hektarë sipërfaqe pyjore.
Sipas El País, qeveria ka zgjeruar gjendjen e jashtëzakonshme edhe në provincën e Toledos, pas Madridit dhe Ávilës, ku masat ishin vendosur që prej së enjtes. Deri më tani janë evakuuar tre vendbanime në Toledo, ndërsa urdhra të rinj evakuimi po zbatohen edhe në zona të tjera.
Rreth 60 mijë banorë janë larguar përkohësisht nga shtëpitë e tyre, ndërsa 28 mijë të tjerë janë këshilluar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura ose të përdorin maska mbrojtëse kur dalin jashtë.
Ndërkohë, një person humbi jetën në një zjarr të veçantë në Valencia. Viktima u gjet e pajetë brenda automjetit të tij në një përrua, ndërsa pesë persona të tjerë u dërguan në spital me djegie të lehta dhe probleme nga thithja e tymit.
Meteorologët paralajmërojnë se moti i nxehtë dhe i thatë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa javën e ardhshme pritet një valë e re të nxehti, e cila mund ta përkeqësojë më tej situatën.
Evakuime masive edhe në Francë
Edhe Franca po përballet me një situatë të rëndë, ku rreth 200 mijë persona janë evakuuar nga zonat e rrezikuara. Vetëm nga gadishulli Cap Ferret, pranë Bordeaux, janë larguar rreth 60 mijë banorë. Autoritetet franceze kanë angazhuar rreth 1.500 efektivë nga shërbimet e emergjencës, ndërsa ndihmë kanë ofruar edhe Gjermania, Kroacia dhe Sllovakia.
Për herë të parë është vënë në përdorim edhe avioni ushtarak transportues A400M për operacionet kundër zjarreve, i aftë të hedhë deri në 20 ton ujë ose lëndë zjarrfikëse mbi vatrat e flakëve. Megjithëse priten reshje të pakta shiu, ekspertët vlerësojnë se ato nuk do të jenë të mjaftueshme për të ndikuar ndjeshëm në shuarjen e zjarreve. Edhe në Francën jugore dhe jugperëndimore parashikohet rikthimi i temperaturave ekstreme gjatë ditëve të ardhshme.
Fenomeni i rrallë i “stuhisë së zjarrit”
Zjarret në rajonin Gironde kanë shkaktuar për herë të parë në Francë fenomenin e njohur si “stuhi zjarri” (pyrocumulonimbus), i cili krijohet nga nxehtësia intensive e flakëve dhe mund të prodhojë re të fuqishme, rrufe dhe të shpërndajë grimca të nxehta në distanca të mëdha.
Sipas ekspertëve të cituar nga Le Monde, ky fenomen përbën një rrezik shtesë, pasi mund të krijojë vatra të reja zjarri përmes hirit të nxehtë dhe shkarkimeve elektrike. Rritja e lagështisë gjatë natës e zbuti përkohësisht fenomenin, por kushtet atmosferike mbeten të favorshme për rikthimin e tij.





