Fredi Beleri, deputet i Greqisë në Parlamentin Europian, duket se ka ndryshuar kurs duke u marrë këtë herë me probleme globale.
Nëse më herët, gjatë fjalës së tij në PE, ai është ankuar për “padrejtësitë” që sipas tij qeveria shqiptare po i bën minoritarëve grekë, këtë herë ka vënë theksin te problemi i krizës demografike që kërcënon Europën.
Beleri tha se kontinenti rrezikon të mbetet vetëm 4% e popullsisë së botës në vitin 2070, nëse nuk ndërmerr hapa konkretë për ta luftuar këtë problem.
“Kriza demografike është një realitet i ashpër me të cilin përballen të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian pa përjashtim.
Në mënyrë indikative, në vitin 2070 Evropa do të përfaqësojë vetëm 4% të popullsisë së botës.
Ne të gjithë e njohim problemin tonë të përbashkët. Tani është koha për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. Zgjidhje që do të kenë zbatim të menjëhershëm në përditshmërinë tonë dhe që do të kenë si busull kohezionin social”, tha Beleri.
Ai vlerësoi kryeministrin grek Qirjako Miçotaqis, për të cilin tha se ka marrë masa konkrete për ta luftuar këtë fenomen.
Greqia është në krye të listës së vendeve që kanë rënien më të madhe të lindjeve. Nga viti 2020 deri në vitin 2022, popullsia e Greqisë ra me −2.4%, apo −259 000 banorë.