Klodian Saliaj, 25-vjeçari nga Armeni i Vlorës, dyshohet se ka goditur 10 herë me thikë një 73-vjeçar, gjatë tentativës për ta grabitur në shtëpinë e tij në Greqi.
Sipas policisë, Saliaj shoqërohej nga një bashkatdhetar 18-vjeçar. Ata hynë në shtëpinë e të moshuarit grek për të grabitur mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Kefalonisë.
Të dy me origjinë shqiptare, ata fillimisht thyen xhamin e shtëpisë së Agia Efimia, ku 25-vjeçari hyri në shtëpi dhe 18-vjeçari Jordan Bejaj, bënte rolin e rojës.
Kur 73-vjeçari ka hyrë në shtëpinë e tij, 25-vjeçari e ka sulmuar me thikë, duke e goditur rreth 10 herë në bark dhe në shpatull. Më pas dy grabitësit u larguan.
Viktima arriti të dilte në rrugë i gjakosur dhe të thërriste ndihmë. 73-vjeçari u dërgua fillimisht në spitalin e Argostolit ku iu nënshtrua një operacioni dhe më pas u transportua me helikopter në Spitalin Universitar të Janinës .
Dy shqiptarët u arrestuan pasditen e djeshme nga efektivët e Sigurisë së Argostolit dhe Ekipi për Parandalimin dhe Shuarjen e Krimit të Kefalinisë. Ata qëndronin pa dokumente në shtetin grek.