Goditja nga euro/ Tkurrje më e lartë edhe se në vitin pandemik, ja sa ranë eksportet

Në vitin 2023, eksportet arritën në 440 miliardë lekë, sipas të dhënave të INSTAT. Në krahasim me vitin e mëparshëm, vlera e mallrave të shitura jashtë vendit shënoi një tkurrje prej 9.5%, teksa në dy vitet e mëparshme (2021 dhe 2022) eksportet ishin zgjeruar me ritme dy shifrore. Rënia në 2023 është madje më e lartë edhe se në vitin 2020, kur prodhimi dhe shitjet u bllokuan për shumë muaj për shkak të pandemisë dhe eksportet ranë me rreth 9% me bazë vjetore atë vit, nga 9.5% që u tkurrën në 2023.

Zhvlerësimi i euros vlerësohet një nga faktorët që i ka dhënë goditjen më të madhe eksportuesve, krahas shtimit të kostove dhe konjukturës së pafavorshme ndërkombëtare. Euro u këmbye mesatarisht me 108.7 lekë në 2023, duke zbritur në verë afër 100 lekëve, nga 118 lekë që ishte mesatarja e 2022.

Të gjitha grupet, me përjashtim të “ushqimeve, pije e duhan” shënuan tkurrje në 2023. Rënia më e fortë ishte për Minerale, lëndë djegëse, energji (-12.5%) dhe “Mat, Ndërtimi, metale” (-21%), që janë dy sektorë të varur nga konjuktura e tregjeve ndërkombëtare. Në rënie ishte dhe industria e tekstile e këpucë me 6.6%, makineri e pajisje me 1.6%, ndërsa ushqimet pije e duhani u rritën me 7.6%, si rrjedhojë e ecurinë së mirë në pjesën e parë të 2023-t, ndërsa muajt e fundit edhe ky grup ishte në rënie.

Sipas INSTAT, Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,5 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,8 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,8 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht ka ndikuar grupi: “Ushqime, pije, duhan” me +0,8 pikë përqindje.

Që nga marsi, eksportet nuk po arrijnë ta marrin veten, duke shënuar ecurinë më të keqe që nga periudha e pandemisë. Në janar, shitjet jashtë vendit u zgjeruan me 20.2% me bazë vjetore, ndërsa në shkurt u zgjeruan me vetëm 2.8%. Rënia nisi në mars, me 11.7%, u thellua në prill me 19.3% dhe vijoi tendencën negative në maj me -11.7%. Në qershor tkurrja u thellua sërish në 17.3%, për tu ngadalësuar në korrik në -4%, duke kërcyer në gusht me -21.9% për të vijuar në shtator me -12.8%. Në tetor, tkurrja u ngadalësua në 4.3% dhe nëntor u thellua me 21,8%.

Në dhjetor 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 38 mld lekë, duke u ulur me -6,6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më par Efektin më negativ në rënien e nëntorit e ka shënuar industria tekstile dhe e këpucëve. Rënie e dhjetorit u ngadalësua si rrjedhojë e ecurisë pozitive të grupit materiale ndërtimi e metale, që pothuajse dyfishoi shitjet në muajin e fundit të vitit. Sipas INSAT, gjatë muajit Dhjetor 2023, në uljen e eksporteve prej -6,6%, kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -10,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,1 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me -1,8 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +11,3 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me +0,9 pikë përqindje.

Lajme të tjera |  Disfata elektorale - Flutura Açka: Berisha duhej të jepte dorëheqjen! Nëse s’ka reflektim, PD do kthehet në parti familjare

Fasoni, shtohen falimentimet

Industria e tekstileve e këpucëve, që punon me material porositësi (fason) dhe është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend (kryesisht shtresave me të ardhura të ulëta), kaloi një situatë të vështirë në 2023, e ndikuar nga rritja e kostove (kryesisht të punës) dhe sidomos rënies së euros. Në 2023-n, ky sektor realizoi shitje prej 126 miliardë lekësh, me rënie prej 6.6% me bazë vjetore. Tendenca rënëse vijoi dhe në dhjetor, me -15.4%.

Sektori ka humbur konkurrueshmërinë, si rrjedhojë e rritjes së kostove dhe rënies së euros. Shoqata e Eksportuesve njofton përditë mbylljen e kompanive dhe shkurtimin e punonjësve, teksa shumë partnerë po i zhvendosin porositë në vende me kosto më të lira prodhimi, si Tunizi, Marok e Egjipt. Eksportuesit janë ankuar vazhdimisht te Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave për pasojat që po jep në aktivitetin e tyre zhvlerësimi i fortë i euros, që aktualisht këmbehet me rreth 104-105 lekë, nga 118 lekë që ishte mesatarja e 2022.

Tekstilet dhe këpucët janë grupi më i madh eksportues në vend, me rreth 29% të totalit.

Mineralet e lëndët djegëse, me rënie

“Mineralet dhe lëndët djegëse” ranë me 34.5% në dhjetor. Ecuria e eksporteve të këtij grupi varet nga energjia si dhe nga numri i anijeve që arrin të dërgojë në një muaj Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend, si dhe eksporteve të energjisë. Për 12-mujorin, grupi ka shënuar një tkurrje prej 12.5%,.

Materialet e ndërtimit e marrin veten në dhjetor, por e mbyllin vitin me rënie të fortë

Materialet e ndërtimit dhe metalet iu rikthyen rritjes së fortë në dhjetor, pasi kishin shënuar një tendencë negative përgjatë gjithë 2023-t. Në dhjetor, shitjet u rritën me 83%. Sipas burimeve nga Kurum, një ndër eksportuesit më të mëdhenj në vend, tendenca lidhet me disa faktorë, si tendenca e çmimeve, por dhe ecuria e kërkesës.

Pavarësisht ecurisë së mirë të dhjetorit, për 12-mujorin, ky grup u tkurr me 21%, duke dhënë ndikimin më negativ në ecurinë e eksporteve.

Ushqimet, pijet dhe duhani, të vetmet me rritje vjetore, por u tkurrën ndjeshëm në dhjetor

“Ushqimet, pijet dhe duhani” ishin sektori me ecurinë më të qëndrueshme të eksporteve në 2023, duke e mbyllur vitin me rritje pozitive prej 7.6%. megjithatë, kjo rritje i dedikohet ecurisë së mirë në pjesën e parë të vitit, ndërsa në muajt e fundit të 2023-t shitjet ishin me rënie. Moti i pafavorshëm dhe rritja e kostove kanë ndikuar negativisht ecurinë e sektorit. Në dhjetor, eksportet e këtij grupi ranë me 13.3%, hera e parë në 2023 që tkurrja ishte dy shifrore.

Industria automotive e mbyll vitin me rënie të lehtë, ndërsa tkurren ndjeshëm në dhjetor

Eksportet e Makineri, pajisje, pjesë këmbimi ishin deri në muajin mars grupi që po shënonte ecurinë më të mirë të eksporteve si rrjedhojë e zgjerimit të fabrikave që punojnë në industrinë mbështetëse automotive.

Lajme të tjera |  Erion Braçe, kandidati “kampion” i votave nga emigrantët

Por, në muajt në vijim ky grup shënoi ecuri negative. Sipas përfaqësuesve të kompanive, kjo tendencë lidhet me pasojat që po jep zhvlerësimi i euros në aktivitetin e fabrikave që prodhojnë ose montojnë pjesë këmbimit për industrinë automotive. Nga ana tjetër, rritja e vazhdueshme e kostove po e bën industrinë më pak konkurruese. Për 12-mujorin grupi është tkurrur me gati 2%. Vetëm në dhjetor, shitjet e industrisë automotive ranë ndjeshëm me 20%.

Ulet deficiti tregtar
Sipas INSTAT, Gjatë vitit 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 440 mld lekë, duke u ulur me -9,5%, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 873 mld lekë, duke u ulur me -8,2%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 432 mld lekë, duke u ulur me -6,7%, krahasuar me vitin 2022.

Bien eksportet me Italinë e Spanjën, rriten me SHBA-të e Kosovën

Sipas INSTAT, Në muajin Dhjetor 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Dhjetor 2022 janë: Italia (11,3%), Spanja (28,7%), Gjermani (6,8%), etj.

Ndërsa vendet me të cilët eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: SHBA (611,9%), Kosova (1,8%), Greqi (4,0%), etj.

Gjatë këtij viti vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10,2%), Gjermania (27,7%), Spanja (19,1%), etj. Ndërsa vendet me të cilin eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, është: Kosova (8,3%), Greqia (13,1%), Kina (2,7%), etj.

Në muajin Dhjetor 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë: Italia (14,1%), Kina (14,9%), Turqia (24,5%), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Dhjetor 2022 janë: Gjermania (5,6 %), SHBA (69,5%), Mbretëria e Bashkuar (44,5%), etj.

Gjatë këtij viti, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (5,9%), Turqia (26,2%), Greqia (23,6%), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë: Kina (21,0%), Gjermania (5,2%), SHBA (32,3%), etj.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 52,7%, të gjithë tregtisë. Në Dhjetor 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 59,6 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 49,1% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (25,5%), Kina (8,5%), Turqia (7,1%) dhe Gjermania (6,6%).

Shkëmbimet tregtare, për vitin 2023, me vendet e BE-së zënë 57,9% të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Dhjetor 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 71,8% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 50,9% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,2%), Kina (7,9%), Turqia (6,8%) dhe Greqia (6,5%)./Monitor

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us