Kosova dhe Serbia do të ulen sërish në tavolinën e negociatave. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, pritet të takohen sot në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të BE, Miroslav Lajçak.
Temë diskutimi do të jetë Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për heqjen e dinarit serb, që ka sjell mjaft tensione mes dy vendeve. Ndërkohë, po ashtu do të diskutohet edhe për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, e cila tashmë ka bërë një vit nga nënshkrimi, por palët ende nuk kanë nisur zbatimin e saj.
Një ditë para këtij takimi, për dinarin ka folur presidentja Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje. Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar se Kosova dhe Serbia kanë arritur progres shumë të kufizuar.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës ndaloi përdorimin e dinarit serb.
Blloku evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara, kanë kritikuar vendimin për dinarin, duke thënë se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative që ka te komuniteti serb. Uashingtoni i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë pezullojë vendimin, por deri më tani Qeveria e Kosovës nuk ka shfaqur sinjale se do të tërhiqet nga kjo rregullore.