Pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut të hënën e Pashkës në moshën 88-vjeçare, sytë e shumë njerëzve janë kthyer drejt profecive të Nostradamusit, që sipas disa interpretuesve, parashikonin vdekjen e një “Pontifi shumë të vjetër” dhe një pasues të fundit para një fundi të mundshëm të epokës katolike.
Në librin e tij të famshëm Les Prophéties (1555), astrologu francez Michel de Nostredame shkruante: “Me vdekjen e një Pontifi shumë të vjetër / Do të zgjidhet një romak me moshë të mirë / Për të do të thuhet se dobëson fronin / Por do të qëndrojë gjatë.”
Këto vargje janë interpretuar si një paralajmërim për ndryshime të mëdha në udhëheqjen e Kishës Katolike madje, disa spekulojnë se pontifikati i ardhshëm mund të jetë i fundit përpara një ndryshimi epokal.
Papa Françesku, i pari papë me origjinë nga Amerika Latine, u përball me probleme të shumta shëndetësore vitin e fundit, përfshirë një pneumoni të rëndë që çoi në vdekjen e tij. Trupi i tij do të qëndrojë për homazhe në Bazilikën e Shën Pjetrit, përpara varrimit në Santa Maria Maggiore, ndryshe nga shumica e paraardhësve.
Konklava për zgjedhjen e Papës së ri do të mbahet brenda dy javësh në Kapelën Sistine. Ndërkohë, diskutimet mbi profecitë e lashta, të hapura gjithmonë për interpretim, kanë ndezur sërish debate mbi të ardhmen e Kishës dhe rolin që mund të ketë pasardhësi i ri në një botë në ndryshim të shpejtë.