Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturë pranë SPAK, kanë kryer gjatë ditës së djeshme një sërë kontrollesh në disa biznese të lidhura me ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili është vënë nën masë sigurie për aferën e sterilizimit. Por kjo nuk është çështja e vetme për të cilën SPAK ka vënë nën hetim ish-ministrin.
Burime i thanë ZËRI-t se përveç kontrolleve në zyrat e kompanisë Delta Pharma, në rrjetin e farmacive Ditë e Natë, si dhe në banesën e Beqajt, kontrolle ka pasur dhe në restorantin ‘Gzona’ që gjendet te Kalaja e Tiranës. Ky restorant dyshohet se është në pronësi të Beqajt, dhe menaxhohet nga persona të afërt të tij. Nga të gjitha ambientet e kontrolluara, janë marrë fatura dhe dokumente të ndryshme që i shërbejnë SPAK në hetimet e mëtejshme.
Beqaj dyshohet se ka favorizuar kompaninë “Delta Pharma” duke ndryshuar kriteret e një tenderi për të lejuar futjen e barnave të pa certifikuara në vend. Ky është një hetim i ri për ish-ministrin, ku po shqyrtohen të gjitha kontratat që ai ka lidhur me kompaninë e barnave dhe rrjetin e farmacive. Për lidhjen e afërt të Beqajt me pronarët e këtyre kompanive ka pasur edhe më herët denoncime mediatike, të cilat tashmë janë konkretizuar në një dosje të re nga ana e SPAK.