“Ishin çift i lumtur, s’kishin as fëmijë asgjë, ishin njëri për tjetrin”, kështu shprehet një fqinje e çiftit të të moshuarve, Kosta dhe Kleoniqi Ilia.
Bashkëshortët, të moshës 84 dhe 88 vjeçe, u gjetën të pajetë mëngjesin e kësaj të enjteje në shtëpinë e tyre në fshatin Bodrisht të Dropullit, me shenja të shumta dhune në trup.
“Jetonin vetëm, nuk kanë fëmijë. Nuk kujdesej njeri për ta. I gjeti fqinja, sepse e merrnin në telefon nga Athina, se ka një motër atje dhe nuk e ngrinin. Dhe i thanë shko dhe shiko si është puna”.
Banorja shprehet se askush nuk ka dëgjuar zhurmë, ndonëse bashkëshortët u gjetën me shenja të shumta dhune, që sipas policisë dyshohet të jenë bërë me mjete të forta rrethanore.
Ajo pohon se ka pasur raste vjedhjeje në fshat, megjithatë i fundit që kujton është rreth 2 vjet më parë.





