Kombëtarja U-21 do të luajë dy ndeshje miqësore më 15 dhe 18 nëntor ndaj Moldavisë. Trajneri Alban Bushi përpara nisjes së grumbullimit ka dalë në konferencën për mediat duke iu përgjigur pyetjeve të gazetarëve.
“Testet miqësore i shërbejnë shumë stafit teknik, është pothuajse një grup i ri dhe mendoj se do të na shërbejnë këto dy ndeshje me Moldavinë. Ndoshta do të luajmë një skemë ndryshe. Është një grup interesant, por kemi kohë përpara për të bërë një grup më kompakt dhe të fortë. Janë lojtarë të rinj që nuk luajnë në nivele të larta, por që një ditë do të luajnë. Disa lojtarë që vijnë për herë të parë ndjehen shumë mirë dhe ne jemi të lumtur që kanë zgjedhur Shqipërinë.
Unë me Besarin kam kohë që flas dhe madje për pak kohë do të jetë në hotel, është lojtar me kualitete që ne na duhen, luan në kampionatin e Maqedonisë por unë jam i lumtur që na ka zgjedhur ne. Brezi që u mbyll ka qenë një nga më të mirët që u mbyll, nga të gjitha anët. Nuk është se është naj brez i artë ai i viteve 2004-2005, por do të bëhen të mirë me kalimin e kohës, ka lojtarë në kampionatin shqiptar dhe jashtë që ne jemi duke i shikuar.
Nga mesfusha e lart jemi mirë, por kemi pak probleme në repartin e mbrojtjes pasi dhe portierët i kemi shumë të mirë. Prindërit i drejtojnë fëmijët që të bëhen sulmues dhe mesfushor. Duhet të punojmë fort për të gjetur mbrojtës të mirë”, tha ndër të tjera Bushi.





