Kredi me zero interes, Balla dhe Mete nxjerrin emrat e 92 punonjësve të policisë që përmbushin kriteret

Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete shpallën punonjësit e parë të Policisë së Shtetit, që përmbushin kriteret për të përfituar kredi me zero interes për banesë. Programi qeveritar parashikon që deri në vitin 2025, të jenë të paktën 900 familje përfituese të punonjësve të policisë në nevojë për strehim. Për këtë vit, pas shqyrtimit të aplikimeve, u njoftuan 92 emra fitues, që plotësonin kriteret për të përfituar një kredi pa interes.

Duke bërë një sqarim rreth kategorive fituese dhe kritereve, ministri Balla u shpreh se “janë kualifikuar 92 punonjës policie, përkatësisht 16 punonjëse gra e vajza dhe 76 punonjës burra e djem. Veç faktit që jeni të gjithë të rinj, 78 punonjës janë të rolit bazë dhe 14 të tjerët me grada Nënkomisar deri një prej tyre, Komisar. Përfituesit janë të shpërndarë në gjitha drejtoritë”. Ministri theksoi se që prej ditës së parë në detyrë, ishte angazhuar për tu kujdesur posaçërisht për rritjen e standardit të jetesës të punonjësve të policisë, por edhe përkrahjen e familjeve të dëshmorëve apo të rënëve në detyrë.

Lajme të tjera |  Tragjike / U godit nga makina, humb jetën 27-vjeçarja shqiptare në Itali (Foto-Emri)

“Përmirësimin e kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit, kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja, pa e harruar që nga sot sistemimin përfundimtar të të gjitha familjeve të policëve të vrarë në krye të detyrës, fëmijët e të cilëve janë fëmijë në përkujdesje të shtetit. Ju jeni përfituesit e parë të këtij programi, por ne shpresojmë që në vitin 2024 të mund të trajtojmë 300 familje të tjera, për ta përmbyllur në vitin 2025 nevojën për të 900 familjet e punonjësve të policisë”, nënvizoi ai.

Ministri i Brendshëm foli gjithashtu edhe për përmirësimin e trajtimit financiar të punonjësve të policisë nga viti i ardhshëm, duke vënë në dukje se do të aplikohen edhe bonuset për ushqimin. “Ashtu siç është bërë me dije dhe më herët, në korrik të vitit 2024 do të kemi dhe rritjen e pagave për të gjithë punonjësit e policisë. Nga ana tjetër është në proces miratimi Bonusi ushqimor për punonjësit e Policisë së Shtetit, që do të thotë trajtimi i tyre, nga fillimi i vitit të ardhshëm përmes një pakete të posaçme ushqimore,” – u shpreh Balla në ceremoninë ku ishin të pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtori i Entit Kombëtar të Banesave, Stefan Çipa.

Lajme të tjera |  Vaji i ullirit të Dumresë…Fermerët ankohen për çmimin

Mes punonjësve që plotësuan kriteret për të përfituar kredi për banesë është edhe Inspektori Redin Caushaj, punonjësi i policisë që u plagos me thikë. Edhe pse nuk ishte në detyrë ai ndërhyri për të shuar një konflikt fizik mes dy personave në fshatin Pilur të Himarës, në gusht të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us