Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave vendase, por edhe të mediave të huaja, në lidhje me projektin e vilave luksoze që pritet të ndërtohen në Sazan, nga dhëndri i Donald Trump. Rama tha se projekti është ende në fazën e shqyrtimit, dhe se shteti do të shqyrtojë mundësinë që të jetë pjesë në këtë investim.
Nga ana tjetër, i pyetur nga gazetarët se kur ka lindur ideja e këtij projekti, Rama tha se është shumë e hershme, përpara se vetë ai të ishte kryeministër. Rama refuzoi që të përgjigjej nëse negociatat për këtë projekt janë bërë përmes Richard Grenell.
“Flasim për një aplikim që ne do ta shqyrtojmë sipas ligjit, dhe do të negociojmë për pjesëmarrjen e shtetit. Ideja e këtij projekti ka nisur përpara se unë të bëhesha kryeministër. A e dini si është punë, ju vini dhe bëni pyetje për ato që përflisni. Ne kemi në tavolinë një ofertë fantastike. Do ta shqyrtojmë si përfaqësues të denjë të shtetit shqiptar”, u shpreh Rama.
Sa i takon përfitimit të shtetit shqiptar, Rama tha se projekte të tilla në turizëm japin efekt zinxhir në të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, dhe se vendi unë do të dalë padiskutim i fituar nga ky investim.