Me titullin “Kush ka nevojë për Ruandën? Italia ka shpresa për marrëveshjen e emigrantëve me Shqipërinë”, ‘The Times’ i ka kushtuar një shkrim kampit të refugjatëve që pritet të ngrihet në Gjadër, në rast se Gjykata Kushtetuese i jep dritën jeshile marrëveshjes Rama-Meloni.
Teksa heq paralelizmin me përpjekjet e Britanisë për të dërguar emigrantët e paligjshëm që presin përgjigjen e kërkesës për azil në Ruanda, “The Times” dhe gazetari Tom Kington kanë udhëtuar drejt Shëngjinit.
Në shkrimin e tyre ata kanë sjellë qëndrime të ndryshme të banorëve të zonës, si dhe për herë të parë kanë zbuluar planimetrinë që do të ketë ky kamp i refugjatëve. Në plan janë parashikuar të ngrihen katër godina akomodimi e gjitha e rrethuar nga një perimetër sigurie.
Në këtë qendër do të kenë dhoma intervistimi për oficerët italianë të emigracionit, si dhe një zonë dedikuar agjencisë europiane të emigracionit Frontex, gjë e cila sipas “The Times”, sugjeron se në këtë projekt është përfshirë edhe BE-ja.
Zyrtarët britanik thotë “The Times” po e shikojnë me shumë vëmendje marrëveshjen Itali-Shqipëri por ministri brendshëm Taulant Balla i tha kësaj gazete se “kjo marrëveshje do të jetë e vetme për Italinë”.
Megjithatë gjatë ditës së djeshme ka pasur një takim në Itali mes kryeministrit shqiptar Edi Rama, dhe atij britanik Rishi Sunak, me këtë të fundit që në shenjë përshëndetje i kujtonte të parit të qeverisë “Edi do të jemi në kontakt për atë gjënë tjetër”.
“The Times” më tej në artikull thekson se ka një të përbashkët mes planeve britanike për Ruandën dhe Italisë në sjelljen e azilantëve në Shqipëri. Proceset ligjore bllokuese nga gjykata supreme angleze dhe ajo kushtetuese në vendin tonë.
Megjithatë ministri i brendshëm Taulant Balla, pas kërkesës për pezullimin e miramit të marrëveshjes, kërkuar nga Gjykata Kushtetuese, ka pohuar për “The Times” se ai është i bindur se gjykata do ta aprovojë.
“Për këtë jam 100% i sigurt”, është shprehur ministri i brendshëm. Në artikull citohet edhe anëtari i opozitës Belind Këllëçi i cili është deklaruar se “përmes arrogancës kryeministri Edi Rama u përfshi në një marrëveshje sekrete me italianët”.
Nga ana tjetër Balla ka deklaruar se marrëveshja me Italinë, nuk i hap rrugën marrëveshjeve dhe me shtete të tjera, përfshirë Britaninë, por kjo mbetet të shihet…