Gjykata e Posaçme ka vendosur që të dënojë me 1 vit burg kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla. Gjithashtu ai është dënuar edhe me heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite. Memolla u shpall fajtor për akuzat “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe veprën penale “falsifikim i dokumenteve”.
Kryebashkiaku i Rrogozhinës, u mor i pandehur nga SPAK më 19 tetor 2023, pas një denoncimi ku gjatë fushatës elektorale urdhëronte punonjësit e OSHEE që të mos i prisnin energjisë elektrike një familjeje të varfër që nuk kishte mundësi t’i paguante. Në këmbim, familja do të votonte Memollën. Në media u publikua një bisedë telefonike, ku kryebashkiaku dëgjohet t’i kërkonte të bisedonte me elektricistin të cilin e porositi të mos ia presë dritat sa të kalojë edhe muaji i zgjedhjeve.
Përgjimi që ‘fundosi’ Edison Memollën
Elektriçistët kishin shkuar në shtëpinë e zonjës për të prerë dritat pasi ajo kishte disa muaj pa paguar dhe kjo e fundit i ka kërkuar ndihmë kryebashkiakut Memolla. Gjatë bisedës telefonike të publikuar në media, Memolla shprehej se ishte i gatshëm ta paguante ai faturën e muajit, por pasi elektricisti i komunikon se familja në fjalë kishte 5 muaj pa paguar dritat, kryetari i bashkisë është shprehur se do të komunonte me shefin e tij.
Në një bisedë telefonike me një grua, Memolla konfirmon se ishte takuar më herët me telefonuesen, së cilës i kishte garantuar mosndërprerjen e energjisë, në këmbim të votës.Më pas në telefon del elektricisti që kishte shkuar për ndërprerjen e energjisë, të cilit Memolla i kërkon që të mos ia ndërpresë energjinë sa t’i marrin votat, e për të justifikuar veprimin, ai vetë do t’i paguante faturën e një muaji. Kryebashkiaku e orienton elektricistin që pasi të kalojnë zgjedhjet mund të vepronin. Por jo vetëm kaq. Kandidati i Partisë Socialiste për Rrogozhinën Edison Memolla, i thotë elektricistit, me të cilin kishte njohje të mëparshme se do të fliste me Edin e më pas të flisnin edhe më lart, në mënyrë që këtë periudhë, sa të kalonin zgjedhjet, të mos bënin ndërprerje, por aksionin ta nisnin pas 6 marsit, kur qytetarëve t’u kishin marrë votën.
Biseda telefonike:
Kryetari: Alo!
Zonja: Alo!
Kryetari: Përshëndetje…
Zonja: Përshëndetje…
Kryetari: Si jeni?
Zonja: Mirë, po ti?
Kryetari: Më fal se nuk më del numri…
Zonja: E di që nuk del numri… nuk e ke numrin tim ti, prandaj nuk të del…
Kryetari: Po më thuaj?!
Zonja: Unë jam goca e …
Kryetari: Çfarë halli kishe?
Zonja: Të thashë unë ty atë ditë për dritat, se më kanë ardhur për të më prerë dritat
Kryetari: Eee… t’i prenë?! I thashë unë atij çunit…
Zonja: Jo, ai çuni është aty përjashta… Unë s’kam mundësi të paguaj…
Kryetari: Po a është aty ai çuni? Foli të dali njëherë në telefon…
Zonja: O Land, ku iku ai çuni?! Na çoje një çikë telefonin, t’i foli atij xhaxhi kryetari. Prit një sekondë se ka shkuar atje te shtylla (zonja shkon çon telefonin tek elektricisti).
Një djalë: O xhaxhi, na foli pak xhaxhi kryetarit…
Elektricisti: Kujt kryetar?
Djali: Të Rrogozhinës, po kush….
Elektricisti: Alo.
Kryetari: Alo.
Elektricisti: Urdhëro…
Kryetari: Çfarë bën, qysh je? Edi jam…
Elektricisti: Oo Rimi jam o Rimi…
Kryetari: O Rim, ça bën o, a do ia prisni, po lene të kalojë këtë muaj o burrë…
Elektricisti: Po e kaloj këtë muajin, po muajin tjetër?!
Kryetari: Po muajin tjetër, shohim e bëjmë… Shif t’i matrim ato, ça kemi me i marrë, se jemi në zgjedhje…
Elektricisti Rimi: E di, e di, po ça të bëjmë ne…
Kryetari: Po hajde se ia jap unë një muaj, sa lek ka…
Elektricist Rimi: Po ajo ka pesë muaj, sikur ka një muaj ajo…
Kryetari: Po paguaj një unë, pastaj të tjerat sa t`ia shtysh në qoftë se ke ndonjë problem aty…
Elektricisti Rimi: Problem e kemi ne se na kanë heqë nga dy javë të punës…
Kryetari: Pse, pse s`keni pre eee…
Elektricisti Rimi: Po…
Kryetari: Hajde se do diskutojmë një çikë me Edin, lëre sot, se do flas çik me Edin unë….
Elektricisti Rimi: Mirë..
Kryetari: Apo e ke raportuar ti?
Elektricisti Rimi: Për sot e kam lënë vetë unë e nja dy-tre ditë..
Kryetari: E mirë, të flas me Edin unë, të flasi me ato të mëdhenjtë që të mos ju bezdisin…
Elektricisti Rimi: Mirë po iki…
Kryetari: Hajde…
HETIMET
Sipas hetimeve të SPAK, ai së bashku me të pandehurin Isuf Tosku, falsifikuan të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë abonentit debitor. I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, u akuzua se i premtoi një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati në ato zgjedhje të pjesshme lokale.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar dhe është provuar se i pandehuri Edison Memolla, kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, ndikon tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, si dhe komunikon me të pandehurin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës,“-thuhet në njoftimin e SPAK.
Por kjo nuk është e vetmja çështje që po hetohet nga SPAK. Herën e fundit që Memolla ishte në SPAK, më 19 Tetor 2023, u zbulua se ai po hetohet për abuzim me tenderat e pastrimit të qytetit, por edhe se ka firmosur dëmshpërblime fiktive mbi dëmtimet e banesave nga tërmeti. Kallëzimi penal u depozitua në SPAK nga Partia Demokratike, ku veç Memollës, ndjekje penale u kërkua dhe për disa nga anëtarët e komisioneve të vlerësimit të dëmeve ekonomike të shkaktuara në banesa nga tërmeti i 2019. SPAK ka urdhëruar sekuestrimin e dokumenteve mbi procedurën e ndjekur për tenderat dhe për dëmshpërblimet.
Mandati
Edison Memolla u rizgjodh kryetar i Bashkisë së Rrogozhinës si kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit 2023. Megjithatë, pas ankimeve nga opozita për parregullsi në kutitë e votimit të Burgut të Rrogozhinës zgjedhjet u përsëritën. Memolla i fitoi votimet për herë të tretë në 23 korrik 2023. Por me shpalljen fajtor nga Gjykata e Posaçme ai zyrtarisht e ka humbur postin e kryebashkiakut. Në pritje të zbardhjes së vendimit dhe rrugës që do të ndjekë Memolla për çështjen, ngelet për tu parë se kush do të zejë vendin e tij