Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk kanë arritur një konsensus për rezolutën e përbashkët me Parlamentin Europian lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Diskutimet në Strasburg mes përfaqësuesve të dy forcave kryesore politike u shoqëruan me përplasje për amendamentet e propozuara dhe mënyrën se si duhet të pasqyrohet situata politike dhe institucionale e vendit në dokument.
Sipas PD-së, përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë refuzuar të paktën 30 amendamente të propozuara prej tyre, duke penguar arritjen e një dakordësie për tekstin përfundimtar të dokumentit. Nga ana tjetër, PS pretendon se ka miratuar një pjesë të amendamenteve të hartuara prej opozitës.
“Mazhoranca votoi kundër propozimeve që synonin intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, heqjen dorë nga mbrojtja politike që u ofrohet zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, zbatimin e vendimeve të gjykatave, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies. Këto janë standarde themelore që Bashkimi Evropian i konsideron të domosdoshme për ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe për përparimin e procesit të integrimit”, thotë PD.
Nga ana tjetër, PS pretendon se ka miratuar një pjesë të amendamenteve të hartuara prej opozitës. Sipas socialistëve, ata kanë kundërshtuar formulime të cilat sipas tyre, cenonin balancën e dokumentit dhe nuk reflektonin progresin e Shqipërisë të evidentuar nga institucionet europiane.
Socialistët akuzojnë opozitën se kërkonte të hiqte nga dokumenti referencat për arritjet e vendit në procesin e integrimit, ndërsa PD këmbënguli se standardet europiane kërkojnë reforma konkrete dhe rezultate të matshme.
Pavarësisht dakordësisë së palëve për objektivin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, në Strasburg nuk u arrit një qëndrim i përbashkët për tekstin përfundimtar të rezolutës.
Procesi i votimit të deklaratës së përbashkët në Komitetin e Stabilizim Asociimit kërkon shumicë të dyfishtë, pra shumicën e anëtarëve të delegacionit shqiptar prej 14 deputetësh (7 të PS dhe 7 të PD) si dhe 14 eurodeptutetë të PE. Deklarata nuk ka arritur të marrë shumicën e votave nga delegacioni shqiptar, pasi votat u ndanë: 7 vota pro PS dhe 7 kundër PD. As delegacioni i PE nuk arriti të bënte shumicën dhe deklarata e përbashkët arriti të merrte vetëm 5 vota të eurodeputetëve





