Opozita e vendit vazhdon që të bllokojë punimet normale në parlament. Deputetë të PD kanë bllokuar mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, të mbajtur në ambientet e Kuvendit. Në rendin e ditës, mbledhja te Siguria parashikonte të diskutohej për marrëveshjen për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë, për të ngritur qendra për refugjtët në zonën e Lezhës. Teksa mbledhja është penguar në mënyrë fizike, socialistët janë mbledhur online dhe dëgjuan nga ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe ai i Mbrojtjes, Niko Peleshi detaje në lidhje me këtë marrëveshje.
Ministri Balla u shpreh se është janë ngritur mekanizmat për të penguar azilkërkuesit që të dalin jashtë kampit dhe gjithashtu do pengohet të hyjë në këtë kamp çdo person që ka precedent kriminal. “Në rastin që ne na rezulton që 1 person është i skeduar, atëherë ai nuk hyn dot në Shqipëri, por kthehet menjëherë mbrapsht”, u shpreh Balla. Më tej, Balla shtoi se kjo është një mundësi e mirë për sipërmarrjet e zonës së Lezhës, Shkodrës apo gjithë Shqipërisë, të cilat ofrojnë shërbime. “Qeveria italiane do të duhet të kontraktojë shërbime. Është një mundësi e mirë për sipërmarrjet e zonës së Lezhës, Shkodrës apo gjithë Shqipërisë, kudo që mund t’i ofrojnë këto shërbime”, shtoi Balla.
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi theksoi se struktura që do të ngrihet, do të mbetet aty. Ai shtoi se në këtë strukturë, në të ardhmen do të ketë aktivitet në funksion të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. “Kjo infrastrukturë që do të ngrihet do të ngelet aty dhe kemi plane për të zhvilluar në të ardhmen disa aktivitete në funksion të Forcave të Armatosura”, tha Peleshi.
Të dy ministrat u shprehën se Shqipëria përfiton nga kjo marrëveshje, pasi gjithçka do të financohet nga qeveria italiane. Po ashtu, ministrat kanë thënë se kapacitetet e qendrës në Gjadër në Lezhë nuk do jenë më tepër se 3000 persona në të njëjtën kohë.
Giorgia Meloni dhe Edi Rama nënshkruan një marrëveshje për emigrantët në 6 nëntor. Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët, që arrijnë në BE përmes detit. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera. Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë.