TIRANË – Në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë u mbajt mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, ku u shqyrtua programi i punimeve të parlamentit nga 15 janari deri më datë 23 shkurt 2024.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi e ka bojkotuar mbledhjen. Në vend të tij është paraqitur deputetja demokrate Jorida Tabaku. Ajo ka thënë në fjalën e saj se po merr pjesë pasi ka rënë dakord me grupin e PD, ndërsa shtoi se është aty, vetëm për shkak se në mbledhje diskutohen çështjet e integrimit të Shqipërisë.
“Prezenca ime në Konferencën e Kryetarëve është në dakordësi të plotë me grupin parlamentar të PD dhe opozitën. PD ka qenë dhe do jetë gjithnjë aktive në çështjen e integrimit Europian. Fatkeqësi që kjo mazhorancë i ka mbetur ende ora tek Reforma në Drejtësi dhe ka dështuar në reformat e tjera”, tha Tabaku.
Jorida Tabaku theksoi se kryeministri Edi Rama ka shpallur tashmë monologun, në lidhje me Reformën Zgjedhore. Ndërsa deputetja demokrate Flutura Açka ka hedhur akuza në drejtim të kryetares së parlamentit Lindita Nikolla, se nuk është njoftuar gjatë ditës së sotme se ka mbledhje të Konferencës së Kryetarëve. Açka tha se Nikolla e ka kthyer parlamentin në ngrehinë gazmore.
Tabaku pas mbledhjes: Situata politike në ngërç për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e maxhorancës
Pas mbledhjes të Konferencës së Kryetarëve, deputetja e PD-së Jorida Tabaku deklaroi se kriza politike në vend lidhet me faktin se maxhoranca nuk ka vullnet politik për të çuar gjërat përpara. ‘U diskutua për rolin që kanë komisionet hetimore me elementë që lidhen me punën e opozitës. Parlamenti nuk ka normalitet dhe nuk pres që të zgjidhet sot. Kisha shpresuar që procesin integrimit mazhoreanca ta përdoret për tu rikthyer drejt normalitetit. Nëse ndodhemi në situatën ku ndodhemi ndodhemi prej mungesës së vullnetit politik të qeverisë. Afatet kohore që po vendosën ishte viti 2024. Nuk votova kundër por isha aty për të thënë se këto nuk janë thjesht çështje të opozitë sport i integrimit. I kërkova kryetares së Kuvendit se duhet të dalim përtej asaj aurolës së pushtetit.’– u shpreh Tabaku.
Deputetja Flutura Açka akuzon Nikollën: E ke kthyer Kuvendin në ngrehinë gaztore
Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka ka bërë një reagim në rrjetet sociale, në lidhje me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Ajo tha se sot nuk është njoftuar në asnjë lloj formë se do të kishte mbledhje. Açka hedh akuza në drejtim të Nikollës, duke thënë se kryetarja e parlamentit e ka kthyer Kuvendin në një ngrehinë gaztore. Ajo shton se në parlament bëhen shakatë e klanit më korruptiv që ka parë ndonjëherë pluralizmi politik shqiptar.
‘Kuvendi i Shqipërisë, kjo ngrehinë gaztore! Zonja Nikolla, Unë nuk jam njoftuar në ASNJË formë e mënyrë që sot Kuvendi ka Konferencën e Kryetarëve. Turp, zonja Nikolla! Keni njē batalion me sekretarë që ju fshijnë edhe këpucët, dhe nuk kanë kohë për një telefonatë zyrtare. E keni kthyer Kuvendin nē një ngrehinë gaztore, ku bëhen shakatë e klanit më korruptiv që ka parë ndonjëherë parlamentarizmi.
Të paktën demokratët, por edhe shqiptarët, i kanë shumë qartë bashkëpunimin tuaj më KË opozitar dhe SI bashkëpunon Edi Rama”, shkruan Açka.
Reagon Kuvendi: Deputetja Flutura Açka u njoftua me anë të e-mailit
Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar, pasi deputetja e Partisë Demokratike Flutura Açka hodhi akuza se nuk është njoftuar për mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Kuvendi shprehet se zonja Açka është njoftuar me anë të një e-maili për mbledhjen.