Në Gjykatën e Tiranës është duke u mbajtur seanca për Alda Klosin, pastruesen Rozeta Dobi, dhe djalin e saj Havierin, të cilët akuzohen për vjedhje dhe pastrim parash. Në seancë kanë qenë të pranishme vetëm pastruesja dhe djali i saj, ndërsa Klosi vetë nuk ka qenë e pranishme për të dëgjuar pretencën e Prokurorisë. Prokuroria ka kërkuar 6 vite burg për Rozeta Dobin, për akuzën e vjedhjes me pasoja të rënda, ndërsa për Klosin 2 vite e 6 muaj burg.
Mbrojtja e Dobit ka kërkuar lirimin e saj, me pretendimin se asaj i ka vdekur bashkëshorti, dhe i duhet të kujdeset për fëmijët.
“Kërkoj mëshirë, kërkoj falje. Shumën e parave m’i dha Alda Klosi për ti mbajtur disa kohë në shtëpinë time më pas t’ia ktheja. Kam punuar gjithë jetën me punë të ndershme jo të bëj vjedhje. Klosi më tha mbaj lekët, se donte të fajësonte bashkëshortin për vjedhje”, është shprehur Dobi.
Organi i akuzës, gjatë dhënies së pretencës, ka theksuar se në analizën financiare për Klosin, shuma e vjedhur nuk rezulton e provueshme nga burime të ligjshme.
“Kemi kryer edhe analizën financiare për Alda Klosin, rezulton se shume e parave e vjedhura në banesë nuk rezulton të provohet me burime të ligjshme. Klosi ka bashkëpunuar me prokurorinë dhe është zbuluar një apartament dhe një garazh në pronësi të ish-bashkëshortit të Alda Klosit. Paralelisht me hetimin penal është duke u zhvilluar dhe hetimi pasurore i Alda Klosit”, thuhej në pretencën e prokurorisë.
Dy javë më parë, Klosi dhe sanitarja u ballafaquan me njëra-tjetrën këtu në Prokurorinë e Tiranës. Gjatë rimarrjes në pyetje, përballë njëra tjetrës, edhe Klosi edhe Dobi këmbëngulën në versionin paraprak që kanë dhanë në polici.
Ish-zyrtarja i qëndron alibisë se shumën prej 120 mijë euro e 30 mijë dollarë ja vodhi Rozeta Dobi, të cilën e kishte punësuar prej pesë vitesh. Por sanitarja ka insistuar se jo vetëm që këtë shumë ja kishte besuar shefja Klosi për t’i ruajtur, por edhe vlerën prej 400 mijë euro të gjetura në aspiratorin e kuzhinës i përkasin Alda Klosit.
Kundër njëra tjetrës, të dyja po përpiqen të rëndojnë pozitën e kundërshtares, që nëse vërtetohet se cila është fajtorja, tjetra i shpëton drejtësisë. Megjithatë për ish drejtoreshën e ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj gurët kanë filluar të lëvizin, meqenëse ajo nuk e justifikon dot se ku e gjeti burimin e 120 mijë eurove. Një biznesmen ka deklaruar se i ka dhënë ai borxh, por edhe ky qëndrim mbetet i dyshimtë për akuzën.
Dobi akuzohet për vjedhje në bashkëpunim, kurse Klosi për pastrim parash, deklaratë të rreme para policisë dhe fshehje pasurie.