TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kërkuar të pyetet si person që ka djeni për rrethana dhe fakte lidhur me protestën e “21 Janarit”, ngjarje ku mbetën të vrarë 4 protestues, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Meta ka thirrur sot mbrojtësin e tij ligjor, avokatin Kujtim Cakrani dhe i ka kërkuar t’i bëjë kërkesë prokurorit Alfred Shehu për t’u pyetur lidhur me ngjarjen që sot është në duart e SPAK.
Hetimet janë përqëndruar në një tjetër drejtim ku së fundmi në Prokurorinë e Posaçme janë thirrur për të dëshmuar dhe ish-ministri i Brendshëm i asakohe Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Kujtojmë se protesta e 21 janarit 2011 u thirr pas publikimit të një video mes ish-ministrit të ndjerë Dritan Prifti dhe Zv. Kryeministrit Ilir Meta në atë kohë, ku bëhej fjalë për një korrupsion prej 700 mije eurosh. Video-skandali u publikua në emisioni investigative “Fiks Fare” ku Ilir Meta, ndodhej në zyrën e ministrit (të atëhershëm) të Ekonomisë dhe i kërkon favore për një tender hidrocentrali dhe disa afera të tjera korruptive. Në bisedë përmenden përqindje apo shifra për 700 mijë euro që sipas Prifti i ishin ofruar në këmbim të nje licence hidrocentrali. Videoja ishte regjistruar nga vetë Dritan Prifti më 1 mars 2010. Ish-ministri për të bërë përgjimin kishte përdorur një orë tavoline e cila mund të gjendej lehtësisht në internet.
Meta prej asaj kohe e quajti videon të montuar, ndërsa sot pas 14 vitesh mban të njëjtin qëndrim, ku në një intervistë për ‘Syri.tv’ shprehet se përmendja e 700 mijë eurove në videon e 2011 kishte të bënte me shumën e harxhuar nga investitorët për projektet e dorëzuara në ministri për ndërtimin e 2 hidrocentraleve, për të cilat sipas tij u ishte premtuar mbështetja nga ish-ministri, i cili nuk u kthente më përgjigje. Sipas tij, vrasjet e katër protestuesve më 21 janar 2011 kërkojnë një hetim shterues, gjithëpërfshirës dhe përfundimtar. Meta kërkon që hetimi të mos kufizohet vetëm tek vrasjet, por të shtrihet edhe tek mosparandalimi i dhunës, që sipas tij ishte paralajmëruar publikisht.
Ilir Meta: Çuditërisht, Prokuroria e Përgjithshme nuk e çoi te një ekspert audio, por te një ekspert video (kompjuterash) a thua se e kishte vënë njeri në diskutim se cilët ishin personat në video. Por pa dashje eksperti amerikan zbuloi te ora që ekspertoi edhe shumë video të tjera ku ishin përgjuar edhe shumë politikanë, qeveritarë, gazetarë dhe biznesmenë. Përfshirë këtu edhe një video ku merreshin në mos gaboj 80 mijë euro nga një vartës i tij në shtëpi, për të cilën nisi edhe një procedim penal. Ndërsa përmendja e 700 mijë eurove kishte të bënte me shumën e harxhuar nga investitorët për projektet e dorëzuara në ministri për ndërtimin e 2 hidrocentraleve, në mos gaboj, për të cilat u ishte premtuar mbështetja nga ish-ministri, i cili nuk u kthente më përgjigje. 21 Janari në bindjen time të plotë ishte një përzierje e papërgjegjshmërisë së politikës vendase dhe ndikimit të agjenturave të huaja në institucionet vendase të sigurisë dhe zbatimit të ligjit.





