Në një takim me Patriarkun Profirije dhe presidentin e republika Srpska, Milorad Dodik, Vuçiç lëshoi një ultimatum në drejtim të Perëndimit, duke i kërkuar që të zgjedhë mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nëse ata zgjedhin Kosovën, Serbia do të presë për momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë mundësinë për të vepruar”, ka thënë presidenti gjatë një eventi.
Kjo deklaratë ka nxitur mënjeherë reagime nga Qeveria e Kosovës dhe ndërkombëtarët. Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se deklarata e Vuçiç është vetëm vazhdimësi e deklaratave të shumta publike që presidenti serb ka bërë në të ardhmen duke kërcënuar se do ta sulmojë Kosovën. Osmani më tej shtoi se Vuçiçi do të dështojë, ashtu si të gjitha përpjekjet e dështuara të Serbisë deri tani.
“Njësoj si edhe në të kaluarën ai duhet ta dijë se do të dalë i dështuar, sepse të gjitha përpjekjet e Serbisë nga viti 1998-99 e tutje që ta pushtojnë Kosovën dhe ta kenë territorin e Kosovës kanë dështuar. E para, për shkak të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës sonë çlirimtare dhe e dyta, se në krah kemi pasur gjithmonë miq, popuj liridashës të cilët bashkë me ne kanë mbrojtur vlerat më të rëndësishme të lirisë dhe demokracisë”, ka thënë Osmani.
Një reagim ka ardhur edhe nga Qeveria e Kosovës të cilën ka cilësuar retorikën e Vuçiç jo vetëm të papërshtatshme, por edhe një reflektim të qartë të qëndrimit të Serbisë ndaj procesit të paqes dhe marrëdhënieve me Kosovën. Qeveria gjithashtu ka bërë thirrje që kërcënimet të mos konsiderohen si diçka e rëndomtë ose të lejohen të bëhen pjesë e retorikës së përditshme duke shtuar se kërkojnë një reagim dhe dënim të ashpër nga ndërkombëtarët.
“Në një rast të mëparshëm ka pasur si referencë konfliktin në Nagorno Karabakh ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit duke marrë si shembull veprimet e këtij të fundit. Kësaj radhe, ky kërcënim erdhi mu në përvjetorin e dakordimit në Ohër mbi Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes Bazike”, thuhet në reagim.
Gjithashtu në lidhje me deklaratën e Vuçiç ka reaguar edhe kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth i cili u shpreh zgjedhja ose Kosova ose Serbia nuk ekziston.
“Presidenti Vuçiç keqkuptoi diçka. Perspektiva e anëtarësimit në BE nuk vlen vetëm për Serbinë, por për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Nuk ka gjë të tillë si “ose Kosova ose Bashkimi Evropian”. Por, Vuçiç ka të drejtë, me të në krye nuk ka asnjë mënyrë që Serbia të hyjë në BE”, shkruan Roth.
Deklarata e liderit serb u tha në të njëjtën ditë kur në Beograd u mbajt dhe vazhdimi i seancës konstituive të parlamentit të ri, ku ashtu si herën e parë, vëmendje të madhe mori Kosova. Ana Brnabiç, kandidate për kryetare të Kuvendit të Serbisë, tha gjatë seancës se opozita me koalicionin “Serbia Kundër Dhunës”, në vitin 2022 në Vjenë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.