Parandalohet krimi në familje/ Arrestohet 46-vjeçari që kanosi me armë, gruan e dy vajzat!

Një 46-vjeçar është vënë në pranga pasi ka kanosur me armë gjahu (çifte), bashkëshorten e tij dhe dy vajzat e tyre.

Në njoftimin e policisë bëhet me dije se pas marrjes së njoftimit, forcat “Shqiponja” kanë shkuar në lagjen “15 Tetori” dhe kanë parandaluar krimin në familje, duke vënë në pranga 46-vjeçarin.

Përpara se të mbërrinin forcat e policisë, ai tentoi të largohej me motoçikletë.

Çiftja dhe motoçikleta janë sekuestruar, ndërsa gruaja e dy vajzat po merren në pyetje.

Njoftimi i policisë Vlorë: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast”, për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale, në familje.

Kanosi për jetën, me armë gjahu (çifte), bashkëshorten e tij dhe dy vajzat e tyre, kapet në flagrancë nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në tentativë për t’u larguar me motoçikletë, 46-vjeçari. Sekuestrohen arma e gjahut (çifte) dhe motoçikleta.

Pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e sotme, se një shtetas po kanoste për jetën, me armë gjahu çifte, bashkëshorten e tij dhe dy vajzat e tyre, në banesë, në lagjen “15 Tetori”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” dhe të Komisariatit të Policisë Vlorë menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat i veprimeve të shpejta nga Policia, është kapur në flagrancë në tentativë për t’u larguar me një motoçikletë, shtetasi Sh. Xh., 46 vjeç.

Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut çifte me të cilën 46-vjeçari kanosi familjarët, si dhe motoçikleta me të cilën tentoi të largohej.

Ndërkohë, vijon puna e grupit hetimor, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për referimin e materialeve procedurale në Prokurori.

Lajme të tjera |  U shua Artan Lame, reagon Rama: Jam pa fjalë, lajm i pabesueshëm

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us