Paralelisht në të njëjtën ditë, dy grupimet e Partisë Demokratike kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese, marrëveshjen Rama-Meloni, për të sjellë emigrantë nga vendet e treta në Shqipëri.
Fillimisht përmes një deklarate ishte Kreshnik Çollaku i grupimit të Bashës, ai që njoftoi dërgimin e kësaj marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese, dhe më pas grupimi i Berishës dhe Bardhit, përfaqësuar nga deputetja Lindita Metaliaj, e cila foli për mediat nga godina e kushtetueses.
Vetë Berisha ishte shprehur hezitues për dërgimin e kësaj marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese, megjithatë grupi vendosi që të kundërshtonte nënshkrimin e saj.
Marrëveshja pritet që të kalojë brenda këtij muaji në Kuvend, pas miratimit në qeveri. Për miratimin e saj do të duhet një votim me shumicë të thjeshtë. Edhe për këtë çështje, Partia Demokratike nuk mundi që të dilte në një qëndrim të përbashkët, ku interesat e grupimeve, duket se prevalojnë mbi interesat kombëtare.
PADIA E DEPOZITUAR NGA ÇOLLAKU:
Kerkesa:
PD çon në Kushtetuese marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët
Shqyrtimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë “PROTOKOLL NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËSSË SHQIPËRISË, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT”.
Pezullimin e proçedurës parlamentare për ratifikimin e “PROTOKOLL NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT”.
Deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 të Kushtetutës dhe Ligjit Nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” të marrëveshjes së së nënshkruar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë “PROTOKOLL NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT”.
Çfarë deklaroi deputetja Metaliaj:
“Nëpërmjet kësaj padie ne kemi kërkuar deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të protokollit ndërmjet qeverisë së Republikës së Italisë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, që ka të bëjë me protokollin për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit. Po ashtu kemi kërkuar edhe pezullimin e procedurave për ratifikimin e protokollit mes qeverisë së Italisë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë. Në cilësinë e deputetes së Lezhës dhe qarkut Lezhë padyshim që bashkë me grupin parlamentar kemi vendosur që kësaj t’i shkojmë deri në fund,
Sot sapo depozituam padinë sepse ne padyshim që jemi në mbrojtje të interesit qytetar, në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe në këto kushte presim që Gjykata Kushtetuese të vendosë në një shqyrtim të shpejtë. Kjo nuk ka të bëjë fare në marrëdhënien tonë me Italinë, përkundrazi, do të vijojnë të jenë gjithmonë e më të mira, por ne do të presim vendimin e GJK, duke shpresuar që të japë sa mëshpejt në lidhje me kushtetutshmërinë edhe a pajtohet ky protokoll me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, tha deputetja Lindita Metaliaj.
Kujtojmë se një ditë më parë marrëveshja në fjalë u miratua nga qeveria italiane, ndërkohë që ky bashkëpunim u prit me rezerva dhe nga Komisioni Europian. Shqipëria i jep tokë në zonën e Gjadrit Italisë, me qëllim që aty të ngrihen kampe ku do të qëndrojë rreth 3 mijë emigrantë që kapen në brigjet italiane, dhe janë në pritje të pranimit apo refuzimit të kërkesës për azil.