Qeveria australiane ka thënë se do ta përgjysmojë numrin e migrantëve që pranon, teksa tenton të përmirësojë sistemin “e prishur” të imigrimit. BBC shkruan se rregullat për viza, për studentët ndërkombëtarë, dhe punëtorët e pakualifikuar, do të ashpërsohen sipas planit të ri.
Ndër masat e reja janë kërkesat minimale të gjuhës angleze për studentët ndërkombëtarë dhe më shumë shqyrtim i atyre që aplikojnë për një vizë të dytë. Ata duhet të dëshmojnë se çdo studim i mëtejshëm do të avanconte aspiratat e tyre akademike ose karrierën e tyre. Ka rreth 650,000 studentë të huaj në Australi, me shumë prej tyre në vizën e dytë, sipas të dhënave zyrtare.
Duke e prezantuar një strategji 10-vjeçare për migrimin, ministrja e Brendshme australiane, Clare O’Neil, ka thënë se sistemi i migrimit është “rrënuar” prej qeverisjeve paraprake. Një rishikim paraprak këtë vit, ka gjetur se sistemi është “tërësisht i prishur”, shumë kompleks, dhe në nevojë për “reformë të madhe”.
O’Neil deklaroi se politikat e reja do të tërheqin më shumë punëtorë që ka nevojë Australia dhe do të ndihmojnë në uljen e rrezikut të shfrytëzimit për ata që jetojnë, punojnë dhe studiojnë në vend. Australia synon të ulë marrjen vjetore të emigrantëve në 250,000 – afërsisht në përputhje me nivelet para pandemisë, deri në qershor 2025.