Pas publikimit të rezultateve të para të zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi me 17 dhjetor, përkrahësit e opozitës filluan protestat kundër parregullsive që, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, i krijuan avantazh Partisë Progresive Serbe të Presidentit Aleksandër Vuçiç. Protestat në Beograd janë përshkallëzuar dhe opozita ka bërë thirrje për një protestë gjithëpopullore këtë fundjavë. Aktivistë serbë dhe njohës të rajonit thonë se ato janë rezultat i pakënaqësive nga politikat e ndjekura që i japin përparësi stabilitetit dhe jo demokracisë.
Rrugët e Beogradit sërish janë të mbushura me protestues. Përkrahësit e opozitës “Serbia Kundër Dhunës”, po kundërshtojnë një mori parregullsish të identifikuara nga vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, përfshirë ato për bashkinë e Beogradit.
Protestat, që zakonisht fillojnë në orët e mbrëmjes, u përshkallëzuan fundjavën e kaluar kur një grup pjesëmarrësish u përpoqën të hyjnë me forcë në ndërtesën e bashkisë së Beogradit. Në përpjekje për t’i ndaluar, policia përdori gaz lotsjellës dhe u përplas me ta.
Partitë opozitare dhe organizata të shoqërisë civile, që po kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe fitoren me 47 për qind të Partisë Progresive Serbe të Presidentit Aleksandar Vuçiç, kanë bërë thirrje për një protestë popullore për ditën e shtunë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, drejtorja e organizatës Fondi Evropian për Ballkanin Aleksandra Tomaniç thotë se protestat në Serbi po zhvillohen nën hijen e një krize të thellë politike që u parapriu zgjedhjeve të parakohshme.
“Ajo që shohim janë qytetarë të gatshëm të mbrojnë votën e tyre, qytetarë që nuk pranojnë manipulimin e zgjedhjeve dhe që nuk duan të rrinë duarkryq. Ajo që pamë ditën e zgjedhjeve ishte një manipulim shumë i qartë, ndonëse nuk ishte hera e parë,” thotë ajo. “Dimensioni i ri në këto zgjedhje ishte se e tëra u bë shumë haptas… Një tjetër risi ishte se më në fund vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve i bën të ditura ato që i panë. Tani kemi raporte nga OSBE-ja, nga anëtarë të Parlamentit Evropian. Janë të dokumentuara, të shkruara dhe tani mund të hetohen”.
Sipas ish-diplomates amerikane Jennifer Brush, e cila ka shërbyer në poste të larta diplomatike në Serbi dhe Kosovë, përfshirë edhe si drejtore e Zyrës për Ballkanin në Departamentin amerikan të Shtetit në vitet 2012-2014, situata në Serbi është zhgënjyese, por jo befasuese.
“Fatkeqësisht, shoh ngecje dhe nuk shoh ndonjë ndryshim. Ka pasur shpresë se deri në këtë fazë të përpjekjes së pretenduar të Serbisë për t’u anëtarësuar në BE, do të kishim qenë dëshmitarë të një përparimi më të madh të qeverisë së Serbisë për ta bërë vendin më tërheqës për Bashkimin Evropian. Por, në vend të kësaj, po luan lojën duke u përpjekur të bëhet tërheqëse si për BE-në edhe për Rusinë dhe diçka e tillë thjesht nuk shkon… Pas asaj që po ndodh në Ukrainë dhe faktit që Rusia qëndron prapa shumë gjërave, përfshirë në Kosovë, nuk mund të jesh me dyja. Vuçiçit i duhet të zgjedhë dhe duket që ka bërë zgjedhjen e tij sepse gjithsesi nuk po e bën Serbinë më të lakmueshme për BE-në dhe është për të ardhur keq,” thotë zonja Brush.
Sipas drejtores së Fondit Evropian për Ballkanin, edhe në të kaluarën janë dokumentuar parregullsi të procesit zgjedhor, por ato janë injoruar, ndërkohë që tani ato kanë zgjuar reagime ndërkombëtare. Ndonëse sipas zonjës Tomaniç jo të gjitha mesazhet nga komuniteti ndërkombëtar kanë qenë të qarta:
“Departamenti i Shtetit gjithashtu ka kërkuar që institucionet të hetojnë ato që ndodhën. Por, në të njëjtën kohë po shohim që ambasadori amerikan në Serbi është ende shumë miqësor dhe po i konsideron të dyja palët njëlloj përgjegjëse. Pra ende po shohim mesazhe të përziera. Institucionet këtu nuk po reagojnë ndërkohë që Presidenti i Republikës po i vlerëson zgjedhjet si më të drejtat dhe më të mirat të mbajtura ndonjëherë. Pra, Serbia është në krizë të thellë, të cilës për momentin nuk i shihet fundi,” thotë Tomaniç.
Zonja Tomaniç thotë se fakti që disa deputetë serbë janë në grevë urie për të tërhequr vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare për zhvillimet në Serbi tregon se sa e rëndë është situata.
“Kjo tregon nivelin e dëshpërimit ku kemi rënë, duke i dhënë prej dekadash përparësi stabilitetit ndaj demokracisë, ngaqë nuk mund të kesh stabilitet pa demokraci,” shtoi ajo.
Në përfundim të procesit zgjedhor, vëzhguesit ndërkombëtarë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që vëzhguan zgjedhjet e 17 dhjetorit, vlerësuan se trysnia ndaj votuesve, krahas rolit të Presidentit dhe përparësive të partisë në pushtet, minuan procesin zgjedhor dhe “krijuan një fushë të pabarabartë për garë.”
Presidenti Vuçiç i ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për manipulim të rezultatit zgjedhor dhe ka akuzuar protestuesit se me ndihmën e lojtarëve të jashtëm po mundohen të rrëzojnë nga pushteti qeverinë e tij.
“Kohë pas kohe më duket se jo vetëm kundërshtarët tanë politikë, por edhe mësuesit e tyre nga jashtë, mendojnë se të gjithë në këtë vend janë idiotë dhe se askush nuk ka sy, veshë dhe se askush nuk kupton se çfarë ndodhi (të dielën). Të gjithë e panë se për gati tri orë policët dhe pronat e qytetarëve të Serbisë u sulmuan brutalisht nga ata që janë të vendosur të shkatërrojnë demokracinë në Serbi dhe vullneti zgjedhor të popullit tonë,” deklaroi zoti Vuçiç.
Kryeministrja serbe Ana Brnabiq ka falënderuar Rusinë për informacionin, siç deklaroi ajo, mbi protestat e dhunshme kundër rezultatit të zgjedhjeve. Ndërkohë, ambasadori rus në Serbi, sipas agjencive të lajmeve, pas takimit me zotin Vuçiç u tha mediave ruse se presidenti i Serbisë ka “dëshmi të pamohueshme” se Perëndimi po nxit protestat e opozitës në Beograd.
Për ish-diplomaten amerikane Brush, e cila ka shërbyer si zëvendësambasadore amerikane në Beograd por nuk flet më në emër të qeverisë amerikane, këto pretendime janë pjesë e një skenari tashmë të njohur të përhapur nga Rusia nëpër të gjithë hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik dhe taktikë që tani po e përdorin në Serbi.
“Të dëgjosh këto akuza të pabaza vazhdimisht nga një udhëheqës serb që këshillohet të thotë këtë gjë nga një ambasador rus flet shumë për bazën e këtyre pretendimeve dhe kjo ndodhë vazhdimisht. A janë amerikanët dhe BE-ja, ndikimi i jashtëm prapa këtyre demonstratave? Mendoj se është një justifikim shumë i dobët i qeverisë së Serbisë që nuk pranon që njerëzit e tyre, për arsyet e tyre janë shumë të zhgënjyer dhe thjesht të frikësuar për drejtimin që po merr vendi i tyre,” thotë zonja Brush.
Sipas zonjës Tomaniç, protestat do të vazhdojnë sepse në sheshet e Beogradit po luftohet për të drejta bazë dhe për demokraci.
“Dorëzimi nuk është opsion, kjo është ende një betejë, që nëse nuk fitohet, atëherë përse do na duheshin zgjedhje të tjera?,” thotë ajo.
Zonja Brush thotë se suksesi i Ballkanit varet nga një Serbi funksionale dhe se Serbisë tani i duhen udhëheqës që mbrojnë interesat e saj.
“Serbisë i duhet dikush që mbron Serbinë dhe që nuk lejon që Serbia të bëhet vegël e Rusisë. Është fare lehtë për Rusinë të krijojë kaos në Ballkan. Nuk i duhet të shpenzojë burime politike, diplomatike apo ekonomike. Nuk i duhet të shpenzojnë asgjë për të krijuar kaos në Ballkan sepse Serbia po kryen punën e tyre,” thotë ajo.
Sipas saj, ky nuk është një rol që serbët që jetojnë në Serbi duan që të luajë vendi i tyre./VOA