Pas të shtënave në drejtim të tre studentëve në New England dhe një sërë incidentesh të tjera, palestinezët që jetojnë në SHBA thonë se janë të shqetësuar për sigurinë e tyre. Kur Samer Elbandak dëgjoi se tre të rinj palestinezë u qëlluan gjatë fundjavës Amerikane të Falenderimeve në Burlington, Vermont, ai menjëherë u frikësua për jetën e vajzës së tij 16-vjeçare.
Vajza e tij, e cila jeton në Florida, është e vetëdijshme për gjendjen e vështirë të palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Gaza. Në faqen e saj në Instagram shfaqet dukshëm flamuri palestinez. Të treguarit e identitetit të saj është diçka që z. Elbandak, një i krishterë palestinezo-amerikan i cili ka lindur dhe është rritur në Betlehem dhe që emigroi në San Francisko 30 vjet më parë, e kishte inkurajuar gjithmonë.
Por një javë pas plagosjes së rëndë të Hisham Awartani, Kinnan Abdalhamid dhe Tahseen Ali Ahmad – tre studentë palestinezo-amerikanë 20-vjeçarë – Z. Elbandak tha se vendosi të fluturonte në Florida për të pasur një bisedë të vështirë me vajzën e tij. “I shpjegova se ajo duhet të jetë shumë e kujdesshme”, tha ai. “Ka disa njerëz që janë të verbër, që janë plot urrejtje”, shtoi ai.
Prindërit palestinezë në SHBA si Elbandak thonë se ata po bëjnë gjithnjë e më shumë biseda me fëmijët – një bisedë rreth përballjes me racizmin, që është shfaqur prej kohësh në familjet afrikano-amerikane dhe minoritete të tjera – pas një vargu incidentesh të fundit, ku palestinezët janë sulmuar fizikisht. Policia në Burlington tha se ata ende po hetojnë nëse plagosja e tre djemve më 24 nëntor ishte një krim urrejtjeje. I dyshuari, Jason Eaton, u deklarua i pafajshëm për akuzat për vrasje në tentativë.
Viktimat e sulmit thonë se ishin në shënjestër për shkak të përkatësisë së tyre etnike. Ata flisnin një gjuhë që ishte një përzierje e arabishtes dhe anglishtes në kohën e sulmit dhe dy prej tyre kishin veshur keffiyeh – një shall tradicional bardhezi, që shpesh shërben si simbol i identitetit dhe solidaritetit palestinez. Disa thonë se incidenti i ka lënë ata të frikësuar, se të treguarit e origjinës palestineze në SHBA është bërë një rrezik, që kur shpërtheu lufta Izrael-Gaza më 7 tetor.
Ndër ata që e ndjenë këtë shqetësim është Anne Bordonaro, një nënë e dy djemve palestinezë të një moshe të re, lindur dhe rritur në Burlington. “Unë pashë foton e tre të rinjve dhe ndjeva një shqetësim” tha zonja Bordonaro. “Unë mendova se mos të plagosurit janë fëmijët e mi”, shtoi ajo.
Më pas ajo i thirri dy djemtë e saj dhe zhvilloi një bisedë me ta, në të cilën u sugjeroi që të shmangnin veshjen e keffijeve në publik. “Djali im më i vogël shpesh vesh një të tillë, është thjesht një simbol identiteti, është vetëm një pjesë e asaj që ai është”, tha zonja Bordonaro, por ajo shtoi se shqetësohej se kjo e bën atë një objektiv për sulme të mundshme. Në kohën e të shtënave në Burlington, komuniteti palestinez në SHBA – një diasporë e vogël prej rreth 220,000 banorësh – ishte frikësuar tashmë nga vrasja më 14 tetor e një djali gjashtë vjeçar nga Illinois, Uadea Al-Fayoume.
Prokurorët kanë akuzuar të dyshuarin për vdekjen e Uadea-s se synonte qëllimisht të godiste fëmijën dhe nënën e tij se ata ishin palestinezë. Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (Cair) tha se kishte marrë një sasi të paprecedentë raportesh për paragjykime anti-arabe dhe anti-myslimane që nga 7 tetori, duke regjistruar gjithsej 2,171 kërkesa për ndihmë në të gjithë SHBA-në që nga dhjetori.
Gruaja e një profesori të Harvardit u kap në video duke ngacmuar një studente që kishte veshur një keffiyeh, duke e quajtur atë një shami terroristësh. Më 7 nëntor, një burrë i veshur me një keffiyeh dyshohet se u sulmua, ndërsa ishte në një shesh lojrash me djalin e tij në Brooklyn, Nju Jork. Në një incident tjetër 10 ditë më vonë, pretendohet se një grua myslimane jemenase-amerikane u qëllua në metronë e Nju Jorkut nga një burrë që e quajti atë terroriste, e goditi dhe ia theu një flamur palestinez, që ajo mbante.
Ayah Zaki, një avokate për të drejtat civile për Cair në Nju Xhersi, tha se nënat palestineze kohët e fundit kanë ardhur tek ajo për këshilla se si të flasin me fëmijët e tyre për këtë çështje. “Fëmijët dëshirojnë ta tregojnë identitetin e tyre dhe në SHBA, ndërsa nënat janë të tmerruara se kjo gjë do të sjellë pasoja tek bijtë apo bijat e tyre”, tha zonja Zaki. Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa ushtria izraelite ka hyrë tashmë në Gaza. Lufta ka shkaktuar mijëra viktima.