Gjykata Speciale Antikorrupsion ka zbardhur vendimin për rrëzimin e kërkesës së Fredi Belerit për një leje nga drejtoria e burgjeve në mënyrë që të betohej.
Vendimi është publikuar nga Drejtoria e Burgjeve që argumenton në këtë mënyrë drejtësinë e vendimit të tyre.
Pas zbardhjes së vendimit reagoi edhe kryeministri Rama, i cili thotë se mosdhënia e lejes nga ana e Drejtorisë së Burgjeve, rezulton një qëndrim korrekt ligjor. Ai shton se fakti që kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.
Në këtë mënyrë, Rama bën të qartë se nuk do e shkarkojë Belerin nga detyra pa përfunduar gjyqi. Por edhe nënvizon se Jorgo Goro nuk mund të qëndrojë më në zyrën e kryetarit të bashkisë së Himarës. Kryeministri thotë se si përfundim, ky vendim i arsyetuar i GJKKO-së është një konfirmim i padiskutueshëm ligjor i “çështjes Beleri” si një çështje e drejtësisë, asesi e politikës apo kurrsesi e organeve të qeverisë qendrore. Po ashtu arsyetimi i këtij vendimi krijon një premisë pozitive për adresimin e ngërçit të lartpërmendur.
Por si zgjidhet ky ngërç? Në vendimin e gjykatës, thuhet se zgjidhja është te gjetjet e një analize të modeleve europiane në zgjidhjen e ngërçeve të ngjashme, kur pushteti vendor nuk është në gjendje të ushtrojë detyrën. Sipas gjykatës speciale, në këtë rast qeveria qendrore e cila ndërhyn për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve publike. Gjykata thotë se i takon qeverisë që të gjejë zgjidhje.
Burime pranë qeverisë thonë se ende nuk ka një vendim final por të gjitha opsionet janë të hapura. Ndërkohë duket që më i mundshmi është që të jetë qeveria ajo që do emërojë një person në krye të Himarës deri në fund të gjyqit. A do jetë kjo një mundësi e artë e qeverisë për të zgjidhur edhe ngërçin në Himarë edhe ngërçin me Greqinë. Kjo mbetet për t’u parë, ndërsa fusha e lojës i hapet negociatave. (TCH)