Gjykata (Komiteti) i të Drejtave të Njeriut që vepron pranë Selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë të Zvicrës ka marrë në shqyrtim çështjen në ngarkim të gazetarit Elton Qyno, që po hetohet nga ana e SPAK.
Komuniteti i gjyqtarëve në Gjykatën e Strasburgut kërkon që SPAK të ndalojë kryerjen e çdo veprimi apo inspektimi, shpërndarje ose përpunimi gjyqësor të mëtejshëm të materialit të sekuestruar ndaj gazetarit Elton Qyno.
Komuniteti i gjyqtarëve shprehet gjithashtu se çështja e gazetarit Qyno është regjistruar pranë gjykatës së OKB-së dhe aktualisht po shqyrtohet. Vendimi i komunitetit u mor gjatë ditës së djeshme, më 17 janar 2024 në Gjenevë të Zvicrës, ndërsa vendimi i pezullimit të çdo vendimi nga SPAK për pajisjet e gazetarit Elton Qyno u është shpërndarë palëve nga ana e Ibrahim Salama-s, që është Shefi i Degës së Traktateve të Drejtave të Njeriut, pranë këtij Komiteti në selinë e OKB-së.
Përmes këtij vendimi të marrë nga Gjykata prestigjoze e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, SPAK detyrohet të mos prekë dhe të mos hapë apo qoftë të bëjë ekspertizë për pajisjet e punës së gazetarit Elton Qyno. Gjithashtu, Struktura e Posaçme nuk mund të bëjë ekspertizë për dokumentet e sekuestruara tek banesa e gazetarit, makina e tij apo vendi i punës.

Madje edhe për materialet që ka mundur t’i aksesojë SPAK, komiteti i gjyqtarëve shprehet se prokuroria nuk mund t’i përdorë, nuk mund t’i shpërndajë apo t’i bëjë pjesë e një procesi gjyqësor. Komiteti thekson se rastin e Elton Qynos do ta ndjekë dhe në vazhdimësi, duke i dhënë afate shtetit shqiptar, me qëllim që t’i japë përparësi rastit./ZËRI/