Sara, (jo emri i vërtetë) ka tronditur opinion publik me rrëfimin e saj, ku është shprehur se është përdhunuar që në moshën 13-vjeçare për 8 vite.
Vajza sot 30 vjeçe nga veriu i Shqipërisë ka treguar se ra pre e përdhunimit në moshën 13-vjeçare, nga një i afërm i saj 40-vjeçar.
Sikur të mos mjaftonte se përdhunoi një 13-vjeçare, 40 vjeçari më pas nisi të dërgonte persona të tjerë te vajza e mitur kundrejt pagesës.
Ajo është shprehur se për shkak se e kërcënonin vazhdimisht, nuk kishte pasur guxim që të denonconte abuzuesit.
“Ndodhte nëpër makina, hotele, ferra, ku të ishin… Shoqet e mia më shihnin shenjat, nuk e morën kurrë guximin të më pyesin apo të më thoshin a ke nevojë për ndihmë. Ata më thoshin po tregove gjë, do të të vrasim.
Kam tentuar të largohem, kur ata kryenin aktin makabër, unë i godisja dhe ofendoja. Por, mora guximin për të ikur 2 vite më vonë. Doja të nisja një jetë të re, por ishte e pamundur. Nuk i shkova dot deri në fund, nuk i denoncova dot. Frika më e madhe ishte se ata nuk vepronin vetëm”, tregoi në “TCh”.
Megjithatë, apeli i saj i vetëm është të ketë mbrojtje, pasi kërcënohet vazhdimisht nga abuzues dhe familjarë të tyre.
“Ka raste që flemë pa ngrënë. Kërkoj që shteti të më mbrojë mua dhe fëmijën tim nga këta persona. Kam që në korrik që marr mesazhe kërcënuese. Më ka thënë ‘e dimë shumë mirë ku ndodhesh, nëse i bën publike këto mesazhe, do të të çojmë në Holandë dhe do marrin 300 mijë euro. I kam çuar letrat në Prokurori dhe më ka sjellë letër për mosfillimin e çështjes, pasi për prokuroren këto nuk janë kërcënime”, u shpreh ajo.