Si nëpër filma, shpallet i pafajshëm pas 48 viteve burg

Një gjykatë në Oklahoma ka shpallur të pafajshëm një burrë që kaloi 48 vjet burg për një vrasje që nuk e kreu, dënimi më i gjatë i gabuar i njohur në SHBA. Glynn Simmons, 70 vjeç, u lirua në korrik, pasi një gjykatë e qarkut zbuloi se provat vendimtare në rastin e tij nuk iu dorëzuan avokatëve të tij mbrojtës.

Të hënën, një prokuror i qarkut tha se nuk kishte prova të mjaftueshme për të garantuar një gjyq të ri. Në një urdhër të martën, gjyqtarja Amy Palumbo e shpalli Simmons të pafajshëm. “Kjo gjykatë konstaton me prova të qarta dhe bindëse se vepra për të cilën Simmons u dënua dhe u burgos nuk ishte kryer nga ai”, tha gjykatësja e qarkut të Oklahoma, Palumbo në vendimin e saj.

“Është një mësim për të gjithë ne”, u tha Simmons gazetarëve pas vendimit, sipas Associated Press.“Mos lejoni që askush t’ju thotë se keni faj, sepse e kundërta mundet të jetë e vërtetë”, shtoi ai. Simmons kreu 48 vjet, një muaj e 18 ditë burg për vrasjen e Carolyn Sue Rogers në vitin 1974, gjatë një grabitjeje në një dyqan pijesh alkoolike në periferi të Oklahoma City.

Lajme të tjera |  "Banorët do të dëmshpërblehen"/ Përmbytja e Vlorës, flet ministri i Mbrojtjes: Prioritet çlirimi i ujërave nga nëntoka e pallateve, kemi evidentuar 62 godina!

Simmons ishte 22 vjeç kur ai dhe një i bashkëpandehur, Don Roberts, u dënuan me vdekje në 1975. Tani ai është 70 vjeç. Dënimet më vonë u reduktuan në burgim të përjetshëm, për shkak të vendimeve të Gjykatës së Lartë të SHBA-së për dënimin me vdekje. Simmons ishte shprehur se ishte i pafajshëm, duke thënë se ai ishte në shtetin e tij të lindjes, Luiziana, në kohën e vrasjes.

Simmons buzëqeshi, ndërsa gjykata deklaroi të martën pafajësinë e tij. I veshur me një pulovër gri me kapuç, Simmons u tha më vonë gazetarëve se ai e kishte pritur këtë moment për një kohë të gjatë. “Ajo që është bërë nuk mund të zhbëhet, por duhet të ketë përgjegjësi për këtë që ndodhi”, tha ai.

Lajme të tjera |  E bija në luftë me jetën, gjysh Bardhi fle në stolat e spitalit, qëndroi 8 ditë pa ushqim

Simmons dhe Roberts u dënuan pjesërisht për shkak të dëshmisë nga një adoleshente, që ishte qëlluar në pjesën e pasme të kokës. Adoleshentja tregoi disa burra të tjerë gjatë rreshtimeve të policisë dhe më vonë kundërshtoi disa nga dëshmitë e saj, tha Regjistri Kombëtar i Shfajësimeve. Roberts u lirua me kusht në vitin 2008. Personat e dënuar gabimisht në Oklahoma kanë të drejtë për kompensim deri në 175,000 dollarë (138,000 £). Simmons aktualisht po lufton me kancerin e mëlçisë, sipas GoFundMe të tij, që ka mbledhur mijëra dollarë për të ndihmuar në shpenzimet e tij të jetesës dhe kimioterapisë

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us