Disa deputetë të Partisë Socialiste kanë ndërmarrë një nismë në Kuvend, ku kanë kërkuar ndryshimin e rregullores së parlamentit, që kanë në thelb ashpërsimin e masave disiplinore për të gjithë ligjvënësit që kryejnë akte dhune në sallë.
Tashmë deputetët që kryejnë akte në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, kërkohet që të përjashtohen nga seancat nga 1 deri në 2 muaj, në varësi të veprës që kryejnë.
Për të kaluar këto ndryshime në rregulloren e Kuvendit, socialistët do të duhet që të kërkojnë edhe votat e grupimit të Bashës, pasi kjo kërkon një shumicë të cilësuar, me 84 vota.
NDRYSHIMET:
Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione/në seancë plenare deri në 30 ditë” jepet në rastet:
a) kur deputeti përdor dhunë fizike ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave apo të Gardës së Republikës.
b) kur deputeti përmes veprimeve të dhunshme dëmton pajisjet dhe orenditë e cdo mjet tjetër logjistik në sallën e seancave/mbledhjes.
c) kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni.”
“Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione /në seancë plenare” deri në 60 ditë jepet në rastet :
a) kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit/mbledhjes së komisionit / brenda mjediseve të Kuvendit;
b) kur deputeti kryen veprime / sjellje që përbëjnë shkeje që konfigurohen si shkelje penale pavarësisht nëse shkelja përben vepër penale sipas Kodit Penal;
c) kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 6.
Nisma e propozuar nga PS vjen në kulmin e kaosit që ka shkaktruar opozita në sallën e Kuvendit që prej mesit të muajit Tetor. Pikëpyetja mbetet nëse deputetët e Lulzim Bashës do të bëhen palë për të siguruar votat që i duhen mazhorancës.