Gjykata e Posaçme iu është drejtuar Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, AMP, për situatën e krijuar para GJKKO ku u mblodhën mbështetës të kryebashkiakut Erion Veliaj gjatë seancës së 12 shkurtit për verifikimin e masës së sigurisë.
Në letër, GJKKO thotë se Garda e Republikës ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit për të garantuar perimetrin jashtë të Gjykatave të Posaçme dhe SPAK, por nuk ka pasur asnjë reagim. Kjo situatë sipas GJKKO ka krijuar vështirësi në lëvizjen e gjyqtarëve qoftë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, por është cenuar edhe siguria për jetën dhe shëndetin e tyre.
GJKKO sjell edhe shembujt e dy protestave që janë mbajtur nga Partia e Lirisë më 6 dhjetor 2024 dhe protestës së Sali Berishës më 6 janar 2025, duke kërkuar që të informohen mbi masat që janë marrë në këto dy raste dhe pse nuk veprua në mënyrë të njëjtë edhe në rastin kur para GJKKO u mblodhën mbështetësit e Veliajt.
GJKKO kërkon nga Ministria e Brendshme që të marrin masat e duhura për vënien përpara përgjegjësisë administrative apo ligjore, të gjithë personat përgjegjës të Policisë së Shtetit, të cilët nuk kanë marrë masat e duhura, për të shmangur apo monitoruar këtë situatë të paprecedentë.
“Nëpërmjet shkresës më sipër, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i është drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që të marrin masat e duhura për vënien përpara përgjegjësisë administrative apo ligjore, të gjithë personat përgjegjës të Policisë së Shtetit, të cilët nuk kanë marrë masat e duhura, në zbatim të ligjit, për të shmangur apo monitoruar këtë situatë të paprecedentë.
Po ashtu, kjo gjykatë ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion e gjithë procedura ligjore e ndjekur dhe planin e masave që janë marrë në rastet e ngjashme sikurse gjatë protestave të datave 6.12.2024 dhe 06.01.2025, si dhe një shpjegim i argumentuar dhe me prova pse nuk është ndjekur e njëjta praktike edhe në rastin e incidentit të datës 12.02.2025.
Aktualisht, gjykata është në pritje të kthimit të përgjigjes nga ana e autoriteteve kompetente, me qëllim ndjekjen e rrugëve të tjera institucionale sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjore“, shkruan SPAK dhe GJKKO.





