Ministria franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dënuar bombardimin izraelit të një ndërtese banimi në Rafah, që vrau një anëtar nga stafi i saj në një rajon të shpallur më parë si ‘zonë e sigurt’.
“Franca dënon këtë bombardim të një ndërtese banimi që shkaktoi vdekjen e shumë civilëve të tjerë. Ne kërkojmë hetime të shpejta dhe të thelluara mbi këtë ngjarje”, tha Ministria e Jashtme franceze në një deklaratë të dielën.
Ndërtesa u godit të mërkurën në mbrëmje, duke vrarë punonjësin dhe 10 personave të tjerë, që ishin strehuar me kolegët dhe familjarët e tyre në këtë lokacion. Punonjësi kishte punuar me qeverinë franceze në Gaza që nga viti 2002 dhe disa nga anëtarët e familjes së tij tashmë ishin evakuuar nga Gaza, tha ministria, duke shprehur ngushëllime.
Deklarata e ministrisë jepet në një kohë kur presioni i jashtëm ndaj Izraelit po rritet, për shkak të sulmeve të tij në Gaza, që kanë vrarë dhe shumë civilë. Më shumë se 80 për qind e rreth 19,000 palestinezëve të vrarë thuhet se janë civilë.
Ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna bëri presion të dielën për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në luftën e Gazës, duke shtuar se Parisi është thellësisht i shqetësuar për situatën në territorin palestinez të shkatërruar nga lufta. “Shumë civilë po vriten”, tha Colonna gjatë fjalimeve në Tel Aviv me homologun e saj izraelit Eli Cohen, ndërsa Izraeli po vazhdon me ofensivën e tij pas sulmeve të 7 tetorit, që kanë shkaktuar tensione në të gjithë rajonin.
Të paktën 1,140 njerëz, shumica prej tyre civilë, u vranë në sulmin e Hamasit dhe 240 persona u zunë robër. Dhjetra prej tyre u liruan në këmbim të të burgosurve palestinezë, si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi në fund të muajit të kaluar. Colonna gjithashtu planifikon të ndjekë një marrëveshje me homologun palestinez Riyad al-Maliki në Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë vizitës të saj. Pak para mbërritjes së saj në Izrael, Colonna dënoi sulmet në rritje nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.