Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë si president, Donald Trump nuk ka humbur kohë dhe ka nisur nga puna. Trump nënshkroi dhjetëra urdhra ekzekutivë në lidhje me një gamë të gjerë çështjesh: nga masat e imigracionit dhe riemërtimi i Gjirit të Meksikës, deri te tërheqja nga marrëveshja për klimën dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, falja e ndjekësve të tij që sulmuan Kapitolin në 2021, heqja e gjinisë së tretë dhe forcimit të masës së dënimit me vdekje.
Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që i jep TikTok një zgjatje 75-ditore për të respektuar një ligj që kërkon shitjen ose ndalimin e platformës. Urdhri ekzekutiv udhëzon Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së që të mos ndërmarrë asnjë veprim për të zbatuar aktin në emër të Shteteve të Bashkuara gjatë asaj kohe.
Ndërkohë përmes një urdhëri ekzekutiv fali 1,500 persona të dënuar për akuzat që lidhen me sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, duke përmbushur një premtim të përmendur shpesh gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024.
Në mesin e urdhrave ekzekutivë të Presidenti Trump është tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, e cila është kritikuar gjerësisht nga republikanët. Presidenti Trump dhe ligjvënësit republikanë i kanë kritikuar politikat e administratës së Presidentit Biden për ndryshimet klimatike si veprime që dëmtojnë bizneset dhe ekonominë amerikane.
Presidenti Trump gjithashtu nënshkroi një urdhër për pezullimin e përkoshëm të punësimeve të reja në qeverinë federale në përjashtim të ushtrisë dhe një dekret tjetër për të pezulluar përkohësisht miratimin e rregullave të reja federale nga agjencitë qeveritare.
Shtetet e Bashkuara do të dalin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, njoftoi të hënën Presidenti Donald Trump, duke thënë se agjencia globale e shëndetit kishte keqpërdorur pandeminë COVID-19 dhe kriza të tjera ndërkombëtare shëndetësore. Trump tha se OBSH kishte dështuar të vepronte në mënyrë të pavarur nga ndikimi i papërshtatshëm politik i shteteve anëtare të OBSH-së dhe kërkoi pagesa të padrejta të rënda nga SHBA që janë në disproporcion me shumat e ofruara nga vende të tjera, më të mëdha, si Kina.
Në një tjetër urdhër tjetër ekzekutiv, Presidenti Trump anulon “udhëzimet gjinore” duke bërë frazën “ka vetëm dy gjini, mashkull dhe femër” politikë zyrtare e SHBA-së , duke anuluar vendimin e administratës së mëparshme për identitetin gjinor.
Donald Trump bëri një ditë më parë (20 janar) betimin si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara. Ky moment shënon një rikthim historik në pushtet të njeriut që në pak më shumë se nëntë vite riformësoi Partinë Republikane, në një vend ku ndasitë politike janë gjithnjë e më të dukshme. Gjatë fjalës së inaugurimit Donald Trump tha se u rizgjodh pas një mbështetjeje “të paparë dhe të fuqishme” të votuesve amerikanë.