Çmimet e ushqimeve në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar rënie, ndërsa një gjë e tillë nuk është reflektuar në tregun tonë. Deputeti i PS-së Erion Braçe me anë të një video të postuar në “Facebook” shprehet se sot zarzavatet, frutat, bulmeti, mishi dhe peshku kushtojnë më shtrenjtë.
Braçe tha se shtrenjtimin e ushqimeve e reflekton edhe raporti i fundit i INSTAT-it për inflacionin, ku thuhet se çmimet gjatë vitit të kaluar janë rritur me 4.7 përqind krahasuar me vitin 2022. Ndikimin më të madh në rritjen e çmimeve edhe për dhjetorin e kanë udhqimet, që janë shtrenjtuar me 9.4 përqind përgjatë vitit 2023. Braçe thekson në mesazhin e tij se sot ushqehemi shumë më shtrenjtë, duke shtuar se zgjidhja është që të ketë liri në treg.
MESAZHI I ERION BRAÇES:
Ushqehemi shumë shtrenjtë. Jo vetëm dhjetori që është muaji i festave, por edhe çdo ditë të vitit ushqehemi shumë shtrenjtë. Inflacioni i dhjetorit vuri në dukje faktin se në krahasim me një muaj më parë çmimet e ushqimeve dhe pijeve alkoolike u rritën me 2.38 përqind. Por ajo që është e rëndë dhe duhet të na bëjë që të reflektojmë është se krahasuar me dhjetorin e 2022, rritja e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike ishte 6.7 përqind. Brenda grupit të ushqimeve, nëngrupi zarzavate, përfshirë patatet, u rritën me 20.8 përqind, pasuar nga frutat me 10.9 përqind, qumësht, djathë dhe vezë me 6.7 përqind, mish me 5.5 përqind, sheqeri dhe ëmbëlsirat me 2.7 përqind, peshk me 2.4 përqind. Shifrat e ISNTAT për inflacionin e japin më qartë situatën për çmimet.
Patjetër që ne kemi një problem me prodhimin e brendshëm, veçanërisht me blegtorinë. Për shkak të ndryshimeve klimatike, kemi marrë goditje tek prodhimi i patates, por edhe tek një pjesë e frutave. Duhet të ndërhyjmë, duhet të përshtatemi dhe natyrisht të paguajmë, të subvencionojmë prodhimin e bujqve. Ajo që bën diferencën është mosfunksionimi i tregut dhe natyrisht mungesa e konkurrencës në të. Na duhet liri në treg, përndryshe do të vazhdojmë të ushqehemi shumë shtrenjtë.