Detaje të reja mësohen nga ngjarja e ndodhur në Volos, ku Fatmir Talellari vrau kunatin e tij, 33-vjeçarin Erjon Pelivani, pasi dyshohet se prej 9 vitesh i përdhunonte të bijën, që kishte nga martesa e mëparshme. Vajza, sot 18 vjeç, dyshohet se për 9 vite me radhë është abuzuar seksualisht nga vëllai i njerkës së saj, derisa vendosi që t’i tregojë gjithçka babait të saj. Ishte vetë Talellari, ai që njoftoi autoritetet për krimin që kishte kryer dhe vendosi që të vetëdorëzohej në komisariat.
Talellari u tha agjentëve se kishte ekzekuar viktimën Pelivani pasi vajza e tij 18-vjeçare prej martesës së tij të parë, i kishte rrëfyer se 33 vjeçari e përdhunonte rregullisht në banesën e saj që në moshën 9 vjeçe.
Vajza ishte mbajtur për vite me radhë nën presion psikologjik prej Erjon Pelivanit, madje ai kohët e fundit e kërcënonte se do të publikonte foto dhe video gjatë akteve intime që ata kishin së bashku.
Pasi vajza e denoncoi tek babai i saj, ky i fundit bleu një armë dhe në vazhdim u kërkoi bashkëshortes së tij ti kërkonte të vëllait të vinte ta ndihmonte për një punë.
Pasi të dy burrat dolën në aksin që lidh Volosin me fabrikën e cimentos, në një shesh të izoluar autori fiku makinën dhe pasi nxorri armën e qëlloi viktimën në fytyrë duke e lënë të vdekur në vend. Mbas rrëfimit të autorit forcat e policisë shkuan në vendin që ai iu tregoi dhe gjetën trupin e viktimës.
Autori do të dërgohet në gjykatë për masë sigurie ndërse gjatë orëve në vazhdim pritet të merret në pyetje edhe viktima tjetër e kësaj tragjedie, vajza 18-vjeçare e autorit e cila pritet të tregojë detaje rrëqethëse të vuajtjeve të saj nga Erjon Pelivani./ZËRI