Studentët e mjekësisë kanë reaguar, pasi Kushtetuesja ka pranuar pjesërisht kërkesën e tyre, duke rrëzuar disa nene të ligjit shtrëngues të qeverisë që lidhen me afatet e mbajtjes së diplomës.
Kushtetuesja kërkoi uljen e afateve, ndërsa studentët një ditë pas vendimit janë shprehur se ata po presim vendimin përfundimtar për të vendosur se si do të reagojnë. Studentët në deklaratën e tyre shprehen se janë gati të mbushin sheshet nëse e drejta e tyre cënohet.
“Ne jemi dakord me vendimin. GJK i kërkoi qeverisë atë që ne i kemi kërkuar prej kohësh, që të na dëgjojnë dhe të konsultohemi. Por në këtë moment do ishte e drejtë të dëgjoheshin të gjitha palët e interesit. Ka qenë situatë e vështirë, por beteja nuk përfundon akoma. Po presim vendimin e arsyetuar. Të shohim se çfarë paraqet vendimi përfunduar që më pas të dimë edhe ne sesi të veprojmë. Këmbëngulja dhe guximi jonë nuk do përfundojë, jemi gati të mbushim sheshet nëse e drejta jonë cënohet”,- deklaroi njëra prej studentëve, në emër të tyre.
Parlamenti miratoi më 21 Korrik të vitit që lamë pas projektligjin e qeverisë që do i detyronte studentët e mjekësisë, që pas përfundimit të studimeve, të punonin në vend të paktën për 5 vite. Kjo për të shlyer detyrimet dhe investimin e shtetit tek ta. Duke kundërshtuar vendimin, studentët protestuan dhe bojkotuan mësimin. Një muaj më parë Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesës për pezullimin e ligjit për studentët e mjekësisë, i cili i detyronte të punonin për 5 vite në spitalet brenda vendit për t’u pajisur me diplomën, os enë të kundërt do t’u duhej të paguanin tarifën e plotë.
Pas afro 6-muajsh protestash në rrugë dhe në intitucione, duke kundërshtuar vendimin e qeverisë që i detyron ata të punojnë për 5 vjet në Shqipëri pas përfundimit të ciklit të studimeve, studentët gjetën mbështetje nga deputetë e opozitës. Ishin deputetët ata që i paraqitën kërkesën Gjykatës Kushtetuese, duke i bërë thirrje qeverisë që që të dëgjojë zërin dhe shqetësimin e studentëve dhe t’i japë zgjidhje kërkesave të tyre. Një prej pikave që studentët kanë mbështetur fort, është ajo se mbajtja për 5 vite peng e diplomës, iu hiqte atyre të drejtën për t’u specilizuar jashtë vendit. Por kjo pikë, tanimë pritet të ndryshohet brenda 3 muajve të ardhshëm.