Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho është shprehur përmes një postimi në rrjetet sociale se “qeveria e inceneratorëve dhe PPP-ve” i ka shpallur luftë shtresës së mesme me ligjin e ri për tatimin e profesioneve të lira.
Sipas saj taksa e re me 23% për profesionistët e lirë do të rëndojë mbi 8 mijë biznese të vogla ose individë të vetëpunësuar në Shqipëri.
Ajo shtoi se qeveria ka planifikuar që përmes kësaj lëvizjeje të arkëtojë rreth 3 miliardë lekë shtesë nga kjo kategori.
Postimi i plotë:
Qeveria e inceneratorëve dhe PPP-ve i ka shpallur luftë shtresës së mesme.
Nga 1 janari, taksa e re me 23% për profesionistët e lirë do të rëndojë mbi 8 mijë biznese të vogla ose individë të vetëpunësuar në Shqipëri.
Rreth 3 miliardë lekë shtesë ka planifikuar qeveria të fusë në arkën e saj nga kjo kategori.
Pasi i detyroi intelektualët dhe të rinjtë e këtij vendi të marrin rrugët e botës, qeveria “Rama” do t’ua bëjë të pamundur punën e jetën në Shqipëri edhe mijëra profesionistëve.
Qeverisë i duhen para për inceneratorët-gropa thithëse e për PPP-të e klientëve të vet, ndaj rëndon barrën e taksave mbi shtresën e mesme.
Në vend ta luftojë shpopullimin, kjo qeveri po e nxit duke taksuar forcën më vitale.