TIRANË– Konfliktet për drogën që nisin jashtë vendit “shuhen” me gjak në Shqipëri. I tillë është edhe rasti i vrasjeve zinxhir që duket se nuk po shuhet. I zinxhiri i hakmarrjes ka nisur për zhdukjen e 700 kilogramëve kanabis në Greqi, por që pasojat i la në vendin tonë. Për të njëjtën sasi droge, mediat greke kanë raportuar se pas vrasjes së dy shqiptarëve Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organjës, është zhdukur pa gjurmë dhe miku i tyre i ngushtë, i identifikuar si Leonardi. Dyshohet se edhe ai është eliminuar por për momentin nuk ka detaje të tjera lidhur me shqiptarin.
I pari që “pagoi” haraçin për kanabisin e zhdukur në vendin tonë ishte Aleksandër Sadikaj. I riu u vra në mënyrë makabre me lëndë plasëse në makinën e tij, si për të dërguar një mesazh për të të tjerët.

Me kalimin e ditëve, më shumë detaje u zbardhën për lidhjet e tij. Në Greqi, Sadikaj përdorte tre gjeneralitete dhe një prej tyre ishte Aleksandër Kalemi, duke marrë edhe mbiemrin e dajës së tij, Andrea (Adriatik) Kalemi. Duke marrë parasysh se i riu kishte disa skedime për vepra të ndryshme penale, ka pasur disa pista për vrasjen e tij, por përplasja për narkotikët është kryesorja. Dyshimet i shtoi babai i tij, i cili bëri me dije edhe për një borxh që Papa i kishte 27-vjeçarit nga Tepelena. Më konkretisht, ai i kishte blerë 100 kg hashash disa vite më parë, por nuk ia kishte shlyer të gjitha paratë.

Disa muaj më pas, biznesmeni Edmond Papa, pasi kishte ardhur në Tiranë për të qëndruar pranë nënës së tij, e cila ishte e sëmurë. Qitësit e kishin ndjekur për ta qëlluar me armë zjarri brenda një lokali. Lidhja u bë shumë shpejt. Fijet u lidhën shpejt me Aleksandër Sadikajn. Kjo pasi familjarët e tij kanë ngritur dyshime se “dora” e vrasjes të së riut ishte organizuar në hotelin e Papës në Sarandë.
Për të marrë hak për të afërmin e tyre të ekzekutuar në mënyrë barbare, Albano Velo dhe Andreu Bode ishin betuar se nuk do ta linin të jetonte më biznesmenin nga Saranda. Kështu që i ishin vënë pas shënjestrës së tyre duke e ndjekur me makinë nga Tirana në Sarandë. Në 16 dhjetor e kryen punën që kishin marrë përsipër. Edmond Papa u ekzekutua pasditen e së premtes në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe, të cilën nuk e mbaroi dot. Megjithatë familja e të ndjerit Sadikaj nuk është ndalur me kaq. Ka edhe persona të tjerë që herë pas here i denoncon, por deri më tani asgjë nuk është marrë parasysh nga autoritetet.
Motra e Aleksandër Sadikajt, Vanesa, vetëm pak kohë më parë ka bërë një postim të gjatë ku përmend me emra personat që sipas saj janë autorët e vrasjes së të riut. Njëri është biznesmeni nga Saranda që u ekzekutua në Tiranës, Edmond Papa dhe një personazh i ri që sapo “futet në lojë”. Bëhet fjalë për Ledian Alushaj (disa herë Vanesa i referohet edhe me mbi emrin Allushaj). Familjarët kanë pasur dyshime të vazhdueshme se vrasja e 27-vjeçarit është organizuar në qytetin e Sarandës, pikërisht në hotelin e Edmond Papës (Blue Sky), i cili menaxhohej dhe nga vëllai i 49-vjeçarit Kristo Qirici.
“Isha tek burgu kur i gjujti tritol shoku, Alexandër Sadikaj u vra nga shoku i tij i ngushtë Ledian Alushaj nga Mallakastra me vendbanim në Sarandë. Ledion Alushaj kishte vendosur tritol në makinën e Aleksandrit kur Aleksandri ia kishte dhënë makinën e tij me mirëbesim për ti bërë disa servise tek daja i Edmond Papës pra këta të dy në bashkëpunim me vranë Aleksandrin. Mbrapa krahu ndërkohë që hanin e pinin me të, ditën tjetër erdhi në varrim Ledjon Alushaj bashkë me Edmond Papën qëndruan gjithë natën në shtëpinë tonë dhe “bënin sikur qanin”. Ledjon Allushaj ngriti arkivolin e Aleksandrit deri tek varrezat në krahë, ai që e vrau ishte aty, na ngushëllonte edhe qante bashkë me ne. Ja pra kush janë trimat e sotëm ata që kanë dy lekë mendojnë se mund të vrasin edhe të bëjnë gjëra të tmerrshme në tok këta pra janë gangsterat e sotëm që kanë lekë dhe vrasin shokët mbrapa krahëve. Këtë gjë e di gjithë Shqipëria tani më. E di shteti gjithashtu. Ledjon Allushaj fshihej si miush edhe vazhdon vret shokët e tij, ai njeri që vinte në shtëpinë tonë hante dhe pinte me ne. Vëllai im luante me djalin e Ledjon Alushajt e përkëdhelte e puthte ndërkohë që ai kishte vendosur tritolin tek makina e Aleksandrit. Zoti është i madh, u zbulua gjithçka shumë shpejt,”-shkruan në postimin e saj motra e të ndjerit.
Megjithatë, rrethi i përplasjes u zgjerua edhe më tej, kësaj radhe në shtetin grek. Më 10 Gusht 2023, në ishullin Pax të Greqisë iu bë atentat Andrea Kalemit, i njohur dhe si Adriatik, ose Tik Kalemi.

Kalemi kishte dalë nga Shqipëria më 5 gusht 2023 së bashku me familjen e tij për të shkuar me pushime në ishullin grek, ku edhe u qëllua të paktën 10 herë në sy të tre fëmijëve dhe bashkëshortes së tij. Fatmirësisht shpëtoi, por përfundoi në pranga për shkak se kishte ende hesape të hapura me drejtësinjë greke. Por edhe në burg nuk u la i qetë. Atentati i fundit u bë në dhjetor, pak para se 52-vjeçari të lirohej pasi kishte kaluar disa muaj në burgjet greke. Teksa qëndronte në burg, një egjiptian i ishte afruar me një mjetin prerës të fshehur në pëllëmbën e tij. Autori dyshohet se është pajtuar nga kreu i një tjetër bande shqiptarësh, që ndodhen të prangosur në një tjetër burg. Por edhe kësaj radhë shpëtoi.

Duke qenë se aktualisht është e pamundur që të prekej sërish, një tjetër shënjestër u vendos që të goditej, kësaj here ishte vëllai i tij, Zamiri. Edhe ky i fundit u “fal” nga plumbat e kallashnikovit, mbrëmjen e djeshme teksa qarkullonte në zonën e Selitës.