Kjo fundjavë shënon nisjen zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Fushata për Partinë Demokratike do të hapet në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”, në orën 19.00. Por edhe pse shumë pak ditë kanë mbetur, demokratët kanë zgjedhur që të ruajnë elementin e surprizës duke mos dhënë detaje të tjera lidhur me mënyrën e organizimit. Kreu i demokratëve, Sali Berisha paralajmëroi se do të jetë “hapja më e bukur” që është bërë ndonjëherë nga partia që ai drejton.
“Secili nga ju duhet të bëjë më të mirën që të bëhet edhe hapja më e bukur dhe më e mirë që kemi bërë ndonjëherë në Shqipëri. Do vijnë edhe përfaqësues nga diaspora, do jetë një hapje madhështore,”- tha Berisha. Në takimin me qytetarët nuk do të mungojë as Chris LaCivita, strategu i fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, i cili tashmë do të jetë edhe drejtuesi i fushatës elektorale të Partisë Demokratike. LaCivita dhe ekipi i tij do të vijnë në Shqipëri që të premten dhe do të qëndrojnë përgjatë gjithë prillit dhe nisjes së majit për të monitoruar fushatën. Me ardhjen e tij në Shqipëri, Berisha pritet të bëjë publike edhe kontratën që ka lidhur me të, për të cilën është shprehur se nuk do ta mbajë “sekret”.
Mesa duket do jetë LaCivita ai që do t’i “japë” dorën e fundit përgatitjeve të mitingut të koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Ndërsa socialistët do të vijnë ndryshe! Nga shtabi elektoral i PS, gazetari Top Channel, Muhamed Veliu ka mësuar ditën e parë të çeljes së fushatës, Partia Socialiste ka vendosur që të mos mbajë një miting të madh hapës në Tiranë, ashtu siç zakonisht ka ndodhur në çdo fushatë zgjedhore. Përkundrazi do të zhvillohen 12 evente në çdo qark të Shqipërisë paralelisht ku fokusi do të jetë gruaja. 12 aktivitetet do te lidhen me njëra tjetrën ku mësohet se do të flasin përfaqësuese gra nga çdo qark dhe në fund do të jetë kryeministri Rama që do të përshëndesë aktivitetin.
Më pas, Partia Socialiste do të çelë fushatën elektorale më 12 prill, një ditë pas nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore. Kjo datë është zgjedhur për shkak të simbolikës së 12 yjeve në flamurin e BE-së, si dhe të fokusit të kryeministrit Rama, i cili ka premtuar se në mandatin e tij të katërt fokusin dhe qëllimin e ka tek integrimi europian gjatë fushate elektorale. Edhe socialistët, takimin do ta zhvillojnë në sheshin “Skënderbej”.
Ndërkohë që “big-ët” i kanë bërë gati planet e tyre, nga partitë e vogla nuk ka ende asnjë njoftim konkret se si do ta organizojnë nisjen e fushatës që do të finalizohet me vullnetin e qytetarëve më 11 maj.