Shkrimtari i njohur, Ben Blushi ka njoftuar publikimin e librit të tij të ri në muajin nëntor.
Edhe pse nuk ka bërë ende të ditur emrin e veprës, Blushi ka intriguar lexuesit e tij me një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale. Ai ka rrëfyer bisedat me tre botues të ndryshëm, të cilëve u kishte dhënë dorëshkrimin e më pas të finalizuar hedhjen në treg të librit.
“Botuesja e parë më tha nuk e botoj dot sepse nuk më lë ai lart. Në fillim mendova se ai lart ishte Zoti, por më vonë mora vesh se ishte burri i saj”, shkruan Blushi më tej ai shton: “Botuesja e dytë e lexoi deri në mes dhe u tmerrua aq shumë sa nuk lexoi dot gjysmën tjetër. Botuesi i tretë më tha nuk kam frikë. Jam ateist. Zgjodha të tretin”, thekson shkrimtari.
Mesazhi i plotë i Ben Blushit
NJË HISTORI E SHKURTËR E ROMANIT TIM TË RI
Është herët për të treguar më shumë për përmbajtjen,por për të qetësuar dyshimet e mia ia dhashë dorëshkrimin dy shkrimtarëve dhe tre botuesve.
Shkrimtari i parë tha se ky roman e ndan letërsinë shqipe në dy pjesë : para dhe pas tij. Shkrimtari i dytë tha duhet ta botosh patjetër dhe me cdo sakrificë.
Botuesja e parë më tha nuk e botoj dot sepse nuk më lë ai lart. Në fillim mendova se ai lart ishte Zoti, por më vonë mora vesh se ishte burri i saj.
Botuesja e dytë e lexoi deri në mes dhe u tmerrua aq shumë sa nuk lexoi dot gjysmën tjetër. Botuesi i tretë më tha nuk kam frikë. Jam ateist. Zgjodha të tretin. Nuk e di a do më duhet një i katërt.





