Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka folur pas mbledhjes së Qeverisë për mënyrën e menaxhimit të plazheve publike dhe tarifat e aplikuara në disa prej tyre. Sipas tij, disa plazhe publike janë tarifuar deri në 1000 lekë të reja, në varësi të zonës dhe shërbimeve që ofrohen.
Lidhur me këtë, Gonxhja theksoi se vjen për shkak të kostove të larta të mirëmbajtjes, teksa solli si shembull Ksamilin, ku sipas tij nevojiten investime të vazhdueshme për ruajtjen e vijës bregdetare.
“Numri i vizitorëve në vendin tonë është në nivele rekorde që nuk i kemi parë më parë. Kemi një risi të rëndësishme sivjet, përsa i takon menaxhimit të stacioneve të plazheve, për të bërë të mundur që të kemi një rregullator në treg përsa i takon çmimeve dhe tarifave. Dhe duke shtuar një tipologji të re që është tipologjia e plazheve publike të menaxhuara nga njësitë e vetë-qeverisjes vendore. Krahas plazhit të virgjër, kemi edhe tipologjinë e plazheve, që disa bashki i kanë vendosur të gjitha shërbimet, edhe çadra, edhe shezlonge, apo dushe, i cili në disa prej bashkive është tarifuar në 700 lekë apo 1000 lekë. Kjo në varësi të plazheve.
Sepse kur shkojmë drejt jugut, drejt Ksamilit, natyrisht që kostot e mirëmbajtjes së këtyre plazheve, apo kostot që janë jashtë periudhës jashtë sezonit, për të mbajtur rërën, për të ruajtur plazhet nga erozioni, nga ndikimi i detit gjatë dimrit, etj, kostot që këto brigje kanë, janë shumë më të lartë. Për këtë arsye edhe kërkesa është më e lartë. Ka disa tarifa që janë pak më të larta. Tipologjitë e plazheve, kanë bërë që edhe plazhet private të ruajnë tavanet e çmimeve, për shkak të konkurrencës nga këto plazhe publike”, tha Gonxhja.
Gjatë fjalës së tij, ministri Blendi Gonxhja ka folur edhe për protestat që po zhvillohen në kryeqytet, ku para Kryeministrisë vijojnë të jenë të pranishëm qytetarë që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Goxhja theksoi se protestat janë një e drejtë demokratike, por duhet të zhvillohen me përgjegjësi dhe jo të shfrytëzohen për qëllime që nuk i shërbejnë qytetarëve.
“Mund t’ju them vetëm që unë jam vetë i lidhur shumë historikisht dhe shpirtërisht me protestën si institucion. Matemi shumë dhe jam matur shumë duke folur shpesh edhe se si ne po reflektojmë në çdo aspekt për çfarë ne kuptojmë se është një mangësi informacioni, dëgjese, mospjesëmarrjeje, që ne të bëjmë ç’të jetë e mundur që vendimmarrja të jetë sa më e mirë dhe në standard me BE. Mund të ketë moment që ne mund të jemi më kritikë edhe ndaj vetes. Që të themi në mënyrë të beftë për një ngjarje që nisi nga diçka që ishte e dënueshme, që u adresua në mënyrë të menjëhershme nga shteti, dorëheqjen dhe të gjithë për tokë, të lëmë çdo gjë në mes dhe të heqim dorë nga gjithçka, si dikur, çfarë po propozohet, kjo kalon përtej nesh dhe është një gjë që nuk merr parasysh asnjë nga përgjegjësitë tona ndaj qytetarëve.
Është në respekt të vetë protestës që ne të sillemi me përgjegjësi ndaj atyre që na kanë votuar, pavarësisht numrit se sa janë sot. Vetëm kështu mund të mendojmë që mund të kemi një rezultat më të mirë për atë që mund të ketë ndodhur. Nuk mund të kemi një Shqipëri përmbys befas, menjëherë, kur PS dhe institucionet që na janë besuar kanë kaluar sfida që ju i dini shumë mirë. Shqipëria sot është më mirë se kurrë më parë. Kjo s’do të thotë që do të hidhen poshtë çfarë janë bërë në këto vite. Ky mandat sapo ka filluar, nuk mund të vihet mandati në diskutim në këtë nivel. E shohim ndjeshmërinë e qytetarëve. Për pjesën tjetër jemi të qartë që ujku mjegull do, e shfrytëzojnë mjegullën për qëllime të tjera që nuk janë në shërbim të qytetarëve tanë”, u shpreh Gonxhja.





