Fadil Bytyqi nuk do të jetë më president i klubit të Suharekës. Është vetë Bytyqi, që ka njoftuar largimin nga posti që mbante, te klubi i Ligës së Parë të Kosovës.
Sipas njoftimit në rrjetet sociale, kjo dorëheqje ka ardhur si pasojë e angazimeve që Fadil Bytyqi ka në bizneset e tij. Ndërsa kujtojmë, që në sezonin 2024/2025, klubi ra nga Superliga.
NJOFTIMI:
Të nderuar anëtarë, lojtarë, staf teknik, administratë dhe simpatizantë të FC Suhareka. Pas një periudhe të mbushur me sfida, përkushtim dhe punë të palodhshme në shërbim të klubit, për arsye personale dhe për shkak të angazhimeve të mia të shumta në biznes, kam marrë vendimin të jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Presidentit të Klubit Futbollistik Suhareka.
Ky nuk ka qenë një vendim i lehtë, sepse FC Suhareka ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Jam krenar për gjithçka që kemi arritur së bashku dhe mirënjohës për besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen që kam marrë nga secili prej jush.
Edhe pse largohem nga kjo detyrë, mbështetja ime për klubin nuk do të mungojë asnjëherë. Sa herë që FC Suhareka të ketë nevojë për mua, do të jem pranë saj me të gjitha mundësitë e mia.
Klubit i uroj suksese të mëdha në të ardhmen, ndërsa udhëheqësisë së re i dëshiroj punë të mbarë dhe e siguroj se do ta ketë gjithmonë mbështetjen time. Faleminderit nga zemra të gjithëve! Me respekt dhe përshëndetje sportive.





