“Qëllimi im nuk ka qenë të merrem me politikë në nivel lokal. Ne duhet të udhëheqim procese të transformimit juridik të atdheut dhe i gjithë transformimi ndodh në parlament dhe përfaqësimi në nivel bashkiak do të ishte një angazhim për të ndalur në nivel politik këtë qeverisje që i ka zaptuar të gjitha”. Këtë përgjigje dha në Ditarin e Fundjavës me Indrit Marakun në A2 CNN, kreu i Shqipëria Bëhet, Adratik Lapaj kur u pyet nëse mund të jetë kandidati që do të sfidojë Edi Ramën për bashkinë e Tiranës.
Lapaj thekson se për garën edhe në 5 bashkitë e tjera do të vendosë kryesia dhe kjo do të bëhet e ditur në ditët në vijim.
“Një parti politike krijohet për të garuar. Nuk di të ta them sot se është proces që po e gjykojmë por në parim vota ime do të jetë për të garuar. Sikur një votë të marr, por ti për këtë je krijuar që një ditë merr një, një tjetër 10 mijë, do ecësh përpara. Unë këtë qëndrim kam por se çfarë vendoset kryesia do të njoftohet në vazhdim”.
I pyetur nëse do të mbështesë Endri Shabanin i cili ka shprehur dëshirën për të kandiduar për Tiranën, Lapaj u përgjigj: “Referuar historinë tonë tradhtarët në rastin më të mirë çohen në ekzil, në politikë, nuk promovohet tradhtia është fenomen i shëmtuar që i bën dëm shoqërisë. Tradhtia e dëmton në thelb shoqërinë”.
Por ndryshe nga Shabani, ai shprehet i hapur për bashkëpunim me Pano Sokon.
“Jam i hapur për bashkëpunim me zotin Soko bashkë kemi bërë fushatë model dhe nuk kam qasje tjetër”.
Lapaj foli edhe për takimet me simpatizantët në gjithë vendin. Pse ka zgjedhur që të vijojë betejën jashtë Kuvendit, si do ta bëjë opozitën në Parlament edhe pse nuk u zgjodh deputet. (A2 Televizion)





