Zhvillimet në Rripin e Gazës dhe procesi i anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian ishin në qendër të takimit të sotëm mes presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz në Pallatin Presidencial të Ankarasë. Takimi u shoqërua me një përplasje të shkurtër mes dy liderëve gjatë deklaratave të përbashkëta për mediat.
Sipas mediave turke, palët ranë dakord për blerjen e 20 avionëve luftarakë Eurofighter nga Ankaraja. Megjithatë, në lidhje me çështjen e anëtarësimit të Turqisë në BE dhe programin SAFE, Merz u shpreh qartë se “Turqia nuk i plotëson ende kriteret për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe drejtësisë.”
Erdogan reagoi duke kritikuar qëndrimin e Gjermanisë ndaj Izraelit dhe luftës në Gazë.
“Mbi 60 mijë fëmijë, gra dhe të moshuar janë vrarë gjatë këtij procesi. Hamasi nuk ka bomba apo armë bërthamore, por Izraeli i ka të gjitha. Mbrëmë Izraeli bombardoi sërish Gazën. A nuk e shihni këtë në Gjermani? A nuk e shihni se po përpiqen të shkaktojnë urinë dhe gjenocidin e popullit palestinez?”, deklaroi presidenti turk me tone të ashpra
Nga ana e tij, Merz theksoi se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë shtetin e Izraelit, por jo domosdoshmërisht çdo vendim të qeverisë izraelite.
“Izraeli ka ushtruar të drejtën e tij për vetëmbrojtje. Një vendim i vetëm mund të kishte shmangur shumë viktima, që Hamasi të dorëzonte armët. Fëmijët në Gaza janë peng të Hamasit. Shpresojmë që kjo të marrë fund,” tha kancelari gjerman.
Në vijim, Merz foli edhe për marrëdhëniet ekonomike dhe perspektivën evropiane të Turqisë:
“Jemi të kënaqur për marrëveshjen për avionët Eurofighter. Gjermania e sheh Turqinë si një partner të ngushtë të Bashkimit Evropian dhe dëshiron të vazhdojë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me të.”
Erdogan nga ana tjetër nënvizoi rëndësinë e lidhjeve tregtare mes dy vendeve:
“Gjermania është partneri më i madh tregtar i Turqisë në Evropë. Synimi ynë është që vëllimi tregtar, që tashmë ka arritur në 50 miliardë dollarë, të rritet në 60 miliardë në një të ardhme të afërt.”.
Më herët, kancelari gjerman u prit me nderime ushtarake dhe breshëri topash në një ceremoni zyrtare në Ankara, e ngjashme me pritjen që iu bë disa ditë më parë kryeministrit britanik Keir Starmer.





