Ish-Ministri i Financës dhe Ekonomisë, Arben Malaj nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, e konsideroi qesharak akuzën e kompanisë së fluturimit “Air Albania” se Arben Ahmetaj ka lëvizur pa paguar, madje duke shtuar se ai dhe familja e tij janë në borxh me kompaninë. Në reagimin e tij, Malaj u shpreh se akuzat e kompanisë janë të pabaza, jo ligjore dhe se i ngjasojnë fletërrufeve të kohës së komunizimit.
Malaj ka theksuar se nuk dëshiron të bëhet pjesë e akuzave dhe kundër akuzave mes ish-ministrave të Partisë Socialiste, por ka theksuar rëndësinë e transparencës dhe ligjshmërisë në kompanitë publike. Ndër të tjera ish-ministri ka ngritur disa pyetje, ku i kërkon llogari kompanisë se kush e ka dhënë urdhërin e kundraligjshëm qoftë edhe me gojë që ministrat dhe familjarët e tyre të udhëtojnë pa parapaguar biletat e avionit.
REAGIMI:
Çfarë ndodhi mes kompanisë ajrore dhe ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj?
Arben Ahmetaj deklaroi se kompania ajrore “Air Albania’ ka falimentuar për shkak të kryeministrit Edi Rama dhe se ka detyrime aeroportuale. Në intervistën e dhënë së fundmi, Ahmetaj tha se prej datës 31 dhjetori të 2019 humbja e Air Albania tejkalon gjithë totalin e aksioneve të grupit në këtë joint venture është 20 mln euro. Ahmeraj tha se qytetarët kanë paguar çarterin e përdorur nga qeveria përmes taksave, ku një udhëtim nga Tirana në Romë kushton 14 mijë euro dhe kompania ka detyrime aeroportuale.
Pas kësaj deklarate ka reagur kompania ajrore “Air Albania”, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se ish-zëvendës kryeministri i detyrohet në fakt kompanisë ajrore. Kompania tha se Ahmetaj dhe familjarët e tij kanë udhëtuar pa paguar biletat, duke u premtuar se do të shlyejë detyrimin, por nuk ka ndodhur.





