Kryetari i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN Tv, deklaroi se e vlerëson të ligjshëm shkarkimin e Veliajt, të cilin e ka votuar në Këshillin Bashkiak edhe këshilltarja e kësaj force politike, por shtoi se Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet sa më parë pas ankimit të Veliajt, pasi jemi në një “amulli kushtetuese”.
Qori shtoi se Lëvizja Bashkë nuk do të bashkohet me asnjë parti tjetër dhe nuk do të mbështesë një kandidat të përbashkët të opozitës, por do të shkojë në zgjedhje me kandidatin e vet, të cilin do ta zgjedhin së shpejti.
KQZ ka vendosur afate të regjistrimit të kandidatëve dhe nuk është serioze që partitë të marrin vendime në kushtet e paqartësisë. Jemi në kushtet e një amullie kushtetuese. Pastaj, që mund të përdoret si justifikim për të mos hyrë në zgjedhje, ky është diskutim tjetër. Kemi një precedent të zgjedhjeve të 2019 ku partitë opozitare nuk hynë në zgjedhje dhe Rama e përforcoi pushtetin e vet.
Në parim jam që, hiq rastin kur ta vënë pushkën te koka, detyra e një partie është të mobilizojë votuesit e saj. Ne mezi po i presim zgjedhjet dhe të paraqesim alternativën tonë. Disa përfaqësues të PD na kanë bërë thirrje publikisht, dhe jam përgjgjur duke refuzuar. Pasi ne kemi refuzuar, doli një përfaqësues i PD që tha nuk bashkëpunnojmë me ekstremistët. Kjo tregon shumë për seriozitetin e mangët të PD.
Lëvizja Bashkë nuk do të bashkëpunojë me asnjë parti tjetër, nuk kemi asgjë të përbashkët me ata që kanë vjedhur Shqipërinë dhe që janë me oligarkinë ekonomike. Si do të bëjmë fushatë, ku unë të denoncoj oligarkët dhe ata marrin të mira nga oligarkët?
Redi Muçi nuk do të kandidojë për Tiranën sepse po e bën shumë mirë punën e tij si deputet. Në ditët në vijim do ta diskutojmë dhe do të përcaktojmë kandidatin tonë. Uroj të kemi vendim të GJK, sepse do të ishte gallatë sikur të dalë GJK dhe të thotë anullim loje”, deklaroi Qori.





