Kryetari i Dhomës së Avokatisë në Shqipëri, Maks Haxhia, theksoi gjatë një komunikimi për media se “Kodi i ri Penal është represiv”.
Ai theksoi se askush “nuk e di kush ka qenë në trupën e stafit të ekspertëve që paraqitën këtë Kod”.
Haxhia u shpreh se Kodi i propozuar ka “dispozita konfuze, të paorganizuara dhe të paorientuara”.
“Janë bërë nene që nuk pranohen dhe janë tepër diskriminuese, të cilat bien ndesh me parimet e Dhomës së Avokatisë. Ata që kanë hartuar këtë ligj nuk e njohin avokatinë. Nëse e njohin avokatinë, do të jetë turp për ta, sepse janë katër shtylla që nuk janë shpikje e ligjit shqiptar, por janë sjellë nga legjislacioni ndërkombëtar”, deklaroi Haxhia.
Ai shtoi se arsyetimi se ky kod bëhet për shkak të angazhimit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk është bindës.
“Një kod i tillë, që është i ngarkuar me dispozita të paqarta, me dënime të tepërta dhe me teknika të vështira, nuk besoj që do të pranohet nga Europa. Për të bërë një kod të ri, duhet të jenë të gjithë aktorët e drejtësisë përfshirë, pasi kodi penal nuk mund të riparohet në këtë mënyrë”, tha ai.
Ai njoftoi se Dhoma Kombëtare e Avokatisë gjatë gushtit do të punojw intensivisht për të përgatitur një qëndrim teknik që do të prezantohet para forcave politike dhe Komisionit të Ligjeve, me qëllim që ky projekt-kod të mos kalojë në Parlament.
“Do ta dërgojmë në Dhomën e Avokatëve në BE dhe, nëse është e nevojshme, do ta kontestojmë në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse shpresojmë të mos arrijmë deri aty. Ky projekt është skandaloz dhe ka nevojë për rishikim nga juristët,” përfundoi Maks Haxhia.





