Kreu i diplomacisë amerikane, Anthony Blinken, do të udhëtojë sot në Izrael për të provuar të sigurojë një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës. Ndërkohë sot Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë më vonë gjatë ditës mbi një projekt-rezolutë që do të kërkonte një “armëpushim të menjëhershëm” në luftimes mes palëve.
Ndërsa diplomatët vazhdojnë përpjekjet, luftimet nuk kanë të ndalur në Rripin e Gazës, me fokus edhe një herë në ditët e fundit në spitalin al-Sifa, më i madhi në të gjithë enklavën, ku forcat e armatosura izraelite thonë se kanë vrarë më shumë se 140 terroristë, anëtarë të organizatave të armatosura palestineze, dhe se ata kanë arrestuar “më shumë se 350” të dyshuar që nga fillimi i javës.
“Operacioni në spitalin Sifa vazhdon. Ky është operacioni gjatë të cilit kemi arrestuar numrin më të madh të terroristëve që nga fillimi i luftës”, tha mbrëmë zëdhënësi i forcave të armatosura izraelite, gjeneralmajor Daniel Hagari.
Pas pesë muajsh e gjysmë lufte, hendeku është ngushtuar në negociata, tha Blinken dje. Edhe pse është e vështirë të arrihet një marrëveshje, është gjithmonë e mundur, këmbënguli ai. Krahas këtyre bisedimeve, SHBA paraqiti, për herë të parë, një projekt-rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm të lidhur me lirimin e pengjeve” në Rripin e Gazës. Teksti, që pritet të vihet në votim më vonë gjatë ditës, thekson nevojën për të shpallur një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm për të mbrojtur civilët nga të gjitha anët (dhe) për të lejuar dërgimin e ndihmës humanitare dëshpërimisht të nevojshme.





