Ardit Kraja, 49-vjeçar i njohur në Shqipëri si ‘bossi’ i lojërave të fatit, ish-pronari i “Superbast” është ndaluar të martën nga Policia e Kosovës, në njërën nga pikat kufitare. Ardit Kraja, partneri i moderatores së njohur të sportit, Ilda Bejlerit u ndalua në Vërmicë dhe pas verifikimit rezultoi se ndaj tij kishte dy urdhëresa aktive të lëshuara nga dy Gjykata në Kosovë. “Urdhër-arrestet” ndaj Krajës janë lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren dhe ajo në Mitrovicë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”. Të njëjtat burime, kanë bërë me dije se pas ndalimit, gjyqtari ka urdhëruar që biznesmeni shkodranfillimisht të intervistohet nga Prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka urdhëruar që Kraja të ndalohet për 48 orë.
Gazeta “Insajder” duke iu referuar burimeve të afërta me hetimin që po kryhet kundër Ardit Krajës ka mësuar se ai ka një rast hetimi në Suharekë, ku dyshohet se kreu veprimtari ilegale “organizim i jashtëligjshëm i bixhozit”. Kjo dosje do hetohet nga Gjykata e Prizrenit, por ka edhe një çështje tjetër të hapur në Mitrovicë.
Si u pasuruan “punëtorët” e Ardit Krajës në Kosovë?
Policia e Kosovës kishte marrë një informacion se një grup njerëzish për javë të tëra po takoheshin bashkë në një zyrë në Prishtinë. Në fillim, hetuesit nuk e kishin të qartë se përsa takohej grupi, ndaj edhe nisi një hetim paraprak. Mëngjesin e 24 marsit të vitit 2021, ata morën lejen që të hynin në këtë pronë. Aty zbuluan se qëllimi i takimeve të tyre ishte koordinimi i bixhozit ilegal që kishte filluar të lulëzonte, edhe pse në Republikën e Kosovës çdo formë bixhozi ishte e ndaluar.
Atë ditë, menjëherë pas kontrolleve, në pranga përfunduan: Skerdi Fero, Sokol Stafaj, Alban Peti, Lulzim Paqarada, Fidan Hoxha, Gasper Kaçinari, Jozef Gjini, Fisnik Sadrija, Flakron Kurteshi e Rrezarta Miftaraj.





